Skenat nga Kaliningradi nuk do të harrohen asnjëherë. Në Botërorin 2018 të futbollit, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri festuan golat e tyre në fitoren 2:1 ndaj Serbisë me shqiponjën famëkeqe dykrenare, që shkaktoi debat të madh publik në Zvicër pas ndeshjes. Temat si identifikimi dhe integrimi ishin përnjëherë në buzët e të gjithëve, edhe në futboll po ashtu.
Katër vjet pas fitores historike ndaj Serbisë, Federata e Futbollit e Zvicrës ka prezantuar studimin në temën “Integrimi social në klubet zvicerane të futbollit”, që është punuar në bashkëpunim me Universitetin e Bernës.
Zëdhënësi i SFV-së, Adrian Arnold, ka treguar se veprimi i “shqiponjës dykrenare” nuk ishte arsye për një projekt të tillë, pasi nuk ka të bëjë me integrimin e mirë apo të keq. Ishin debatet pas atij gjesti që e shtyn Federatën të kryente studimin.
“Ne kemi dashur t’i qasemi kësaj teme në mënyrë bazike dhe shkencore”, ka thënë ai.
Bazuar në sondazhin e bërë në 42 klube në Zvicrën gjermanfolëse dhe frëngjishtfolëse, në 145 ekipe dhe me 1839 anëtarë të klubeve, diversiteti në klubet zvicerane të futbollit është në nivel të lartë. Hiç më pak se 179 nacionalitete janë të prezantuara në rreth 1400 klubet e SFV-së.
Në përgjithësi ekziston një nivel i lartë i integrimit social në mesin e gjithë anëtarëve të klubeve, pavarësisht gjeneratës së migrimit. Anëtarët e klubeve të futbollit janë të përfshirë në raporte të suksesshme (ndërveprimi), njohin normat dhe zakonet qendrore në klub (kultura) dhe identifikohen fuqishëm me klubin (identifikimi).
Në skuadra, në veçanti ndërtohen marrëdhënie të ndryshme shoqërore, që shpesh shtrihen përtej klubit si rrjet social.
“Ky studim është provë që futbolli është çelës për shoqërinë dhe për integrimin e suksesshëm”, thotë presidenti i SFV-së, Dominique Blanc.
Vizion i SFV-së është që të jetë shtyllë e shoqërisë, që edhe është arritur me këtë kontribut në integrim, vlerëson Blanc.
“Integrimi është automatik, nëse vesh të njëjtën fanellë futbolli në një ekip”, shton ai.
Prof. dr. Siegfried Nagel nga Universiteti i Bernës ishte në krye të projektit të SFV-së dhe shpjegon se pavarësisht përpjekjeve për të integruar sportin popullor, skandale të tilla, si në Kupën e Botës 2018, nuk mund të përjashtohen kurrë plotësisht.
“Diçka e tillë nuk mund të parandalohet”, thotë Nagel. Ai ka shtuar se këto përpjekje janë ende të domosdoshme pasi lojtarët, e më vonë yjet e “Natit” (përfaqësueses), erdhën fillimisht nga baza.
“Nëse ka vetëdije për çështje të tilla që në fillim, atëherë gjasat që diçka e ngjashme të ndodhë janë më të vogla”, thotë profesori.
Integrimi social i grave me të kaluar migruese po ashtu është studiuar. Edhe këtu integrimi ishte i suksesshëm. Por vajzat që kanë migruar në Zvicër kanë më tepër vështirësi për ta gjetur rrugën drejt klubeve.
Sipas Nagelit, modelet në sport janë veçanërisht të rëndësishme për vajzat e reja.
Sipas studimit, si djemtë, ashtu edhe vajzat preken më shpesh nga diskriminimi në klub sesa anëtarët pa të kaluar migruese. Profesori Nagel thotë: “Integrimi nuk është gjë njëdrejtimëshe. Klubet po ashtu duhet të jenë të hapura dhe të tregojnë mirëkuptim për një shoqëri heterogjene”.
Për të kaluar këto probleme, drejtuesit e studimit theksojnë rolin e trajnerëve për integrimin social dhe në trajtimin e diversitetit kulturor.
Vetë Federata kontribuon në integrim në disa mënyra. Për shembull, të ardhurat nga ndeshja ndërkombëtares mes Zvicrës dhe Kosovës u shfrytëzuan për të prekurit nga lufta në Ukrainë.