Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës Lirim Kastrati nuk është duke kaluar momente të mira te Legia e Varshavës.
Deri tani janë zhvilluar gjashtë ndeshje në kampionatin polak, ku Legia pozicionohet në vendin e dytë me 11 pikë me tri fitore, dy barazime dhe një humbje.
Në këto gjashtë ndeshje 23-vjeçari është paraqitur vetëm në një prej tyre, duke u inkuadruar si zëvendësues në minutën e 76-të, kurse në dy tjera ka qenë në bankën rezervë.
Në tri takimet e fundit, Kastrati nuk ka qenë i përfshirë në skuadrën e parë, raporton Gazeta Enigma.
Gazeta Enigma mëson ekskluzivisht nga burime të afërta të Lirim Kastratit, se 23-vjeçari pritet të largohet nga klubi polak në ditët e fundit të merkatos.
Kastrati është duke u kërkuar me ngulm nga tri skuadra të njohura nga Spanja, Kroacia dhe Greqia.
Racing Santander që bën gara në La Liga 2, është duke e kërkuar me ngulm sulmuesin këmbëshpejtë pasi nuk e kanë nisur mirë sezonin duke i pësuar dy humbje nga dy ndeshje.
Kalimi i Kastratit te Racing Santanderi ka një problem merr vesh ekskluzivisht Gazeta Enigma, pasi transferimi i tij te klubi spanjoll po vështirësohet për shkak të problemeve të dokumentëve që duhet kërkesë e veçantë për leje qëndrimin e Kastratit, pasi posedon pasaportë të Kosovës, pasaportë që nuk njihet nga Spanja.
Përveç Racing Santanderit, klubi i njohur kroat Rijeka është duke kërkuar shërbimet e ish-futbollistit të Dinamo Zagrebit dhe NK Lokomotivës.
Për Kastratin kthimi në futbollin kroat do të ishte i lehtë, pasi i ka kaluar tre vite te NK Lokomotiva dhe Dinamo Zagrebi prej grupmoshave U19.
Pas pesë ndeshje të zhvilluara në Kroaci, Rijeka pozicionohet në vendin e tetë me pesë pikë duke i shënuar 1 fitore, dy humbje dhe dy barazime.
Skuadra e fundit që po kërkon shërbimet e Kastratit është gjiganti grek, AEK Athens.
AEKI e ka nisur mirë sezonin në Superligën e Greqisë duke e mposhtur Lamian me rezultat 0-3./GAZETA ENIGMA/