Deçiqi fillon furishëm, a po e fiton regjioni edhe një kampion shqiptar?

Deçiqi fillon furishëm, a po e fiton regjioni edhe një kampion shqiptar?

Skuadra nga Tuzi, Deçiqi, ka dy vjet që është prej kryesoreve në Malin e Zi. Në dy edicionet e kaluara arriti në finale të Kupës së Malit të Zi. Në elitë, për herë të fundit është promovuar në edicionin 2020/2021. Atë edicion përfundoi në vend të tretë dhe siguroi daljen në Evropë. Ekipi shqiptar i treti ishte edhe edicionin e kaluar 2021/2022. Dhe prapë doli në gara evropiane.

Në Ligën e Konferencës është eliminuar dy herë në rundin e parë kualifikues, por rritja e klubit nga Tuzi nuk është ndalur. Dhe nuk po ndalet ende.

Deçiqi aktualisht është lider në kampionatin e Malit të Zi. E ka nisur fuqishëm edicionin 2022/2023 dhe ka shpallur kandidaturë të hershme për titull të kampionit.

Nëse vazhdon me këtë ecuri, atëherë ka gjasa që në maj e qershor të kemi katër kampionë shqiptarë. Kampioni aktual i Maqedonisë së Veriut është Shkupi, ndërsa pos kësaj skuadre, titullin në edicionin aktual e synojnë edhe Shkëndija e Struga, dy skuadra të tjera shqiptare. Me kampionin e Shqipërisë dhe të Kosovës, katër skuadra shqiptare mund të festojnë titullin në edicionin aktual.

Deçiqi nisi kampanjën me fitore 1:0 në udhëtim ndaj Mornarit. Në xhiron e dytë fitoi bindshëm, 3:0, ndaj Iskras. Vazhdoi në xhiron e tretë me fitoren e madhe ndaj Buduqnostit në Podgoricë, me shifrat 2:0. Petrovaci e ndali në barazim 2:2 në xhiron e katërt, ndërsa të dielën skuadra nga Tuzi fitoi bindshëm, 5:1, ndaj Rudarit.

Fatos Beqiraj e realizoi njërin prej golave, ndërsa te Deçiqi startuan edhe Marko Tuçi e Jonathan Dreshaj. Në stol ishin edhe Erjon Vuçaj e Pjeter Lulgjuraj. Jo shumë lojtarë shqiptarë, por megjithatë, Deçiqi është klub shqiptar. Postimet i bën fillimisht në gjuhën shqipe, ndërsa drejtuesit e klubit janë shqiptarë po ashtu.

Deçiqi udhëheq në tabelë me 13 pikë nga pesë ndeshje. Ka goldallim +10. I dyti është ekipi Petrovac me 11 pikë. Kampionati është i gjatë, por fillimi i Deçiqit megjithatë, është premtues.

Ditë më parë, Deçiqi afroi në klub Ardian Gjokajn, futbollistin më të suksesshëm shqiptar nga Mali i Zi. Gjokaj ka qenë i suksesshëm edhe si menaxher klubesh, ndërsa Deçiqi ia ka besuar detyrën e drejtorit sportiv. Me Gjokajn, Deçiqi pritet të ngrihet në nivel edhe më të lartë.

Ndërkohë, klubit i shërben shumë edhe përvoja e Fatos Beqirajt, lojtarit kosovar me më së shumti paraqitje për Malin e Zi. Beqiraj ka shënuar tre gola deri më tani.

Deçiqit së shpejti do t’i rregullohet edhe stadiumi në Tuz. Ndeshjen e fundit kjo skuadër e ka luajtur në kampin stërvitor të Federatës së Futbollit të Malit të Zi në Podgoricë.

Për stadium do të investohen 2.3 milionë euro, ndërsa ai do të ketë kapacitet prej 1300 ulëseve.

Related Articles