Sezoni i ri në Ukrainë nisi dje me futbollin që u rikthye pas gjashtë muajsh pauze.
Klubet elitare zbritën në fushën e blertë për ta nisur sezonin 2022/23 përkundër faktit se në këtë shtet po vazhdon lufta me agresorin rus.
E pjesë e rikthimit të futbollit në Ukrainë ishin edhe tre futbollistë shqiptarë.
Ardit Toli luajti nga minuta e parë dhe Taulant Seferi u inkuadrua në pjesën e dytë për Vorsklan në humbjen 1:3 nga Zorya Luhansk.
Kurse, mesfushori shqiptar Realdo Fili u paraqit tek Chornomorets Odessa në humbjen nga Veres-Rivne, 0:1.
16 skuadra e nisën ligën në Ukrainë, ndërsa ndeshjet do të luhen në Kiev dhe përreth tij.
Sezonin e ri e nisi një ushtar ukrainas, i cili e rrokulli i pari topin, ndërsa u këndua edhe himni kombëtar pasi dje ishte dita e flamurit të Ukrainës.
Në secilin stadium është siguruar një hapësirë sigurie ku do të vendosen ekipet në rast të ndonjë alarmi për bombë, derisa ndeshjet do të luhen pa praninë e publikut.
Liga ukrainase nuk luhet që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur ishte mbyllur pjesa e parë e sezonit.
Më pas, në fund të shkurtit, derisa po planifikohej të fillonte pjesa e dytë e kampionatit, shpërtheu lufta dhe liga u ndërpre aty.
Në pjesët tjera të Ukrainës po vazhdojnë luftimet, ndërsa futbolli shihet si mundësi për t’ua shtuar shpresat ukrainasve dhe për t’i treguar botës se ukrainasit nuk dorëzohen asnjëherë.