Gjatë një interviste dhënë për Bloomberg, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia nuk kanë alternativë tjetër përveç se të arrijnë marrëveshjen finale për normalizim marrëdhëniesh, duke theksuar se ka “ardhur koha” që një gjë e tillë të bëhet gjatë mandatit të tij.
“Mosmarrëveshjet” lindën gjatë viteve 1998-1999 gjatë luftës në Kosovë si dhe pas shpalljes së pavarësisë – dhe një dekadë më pas po shfaqen pengesat që këto dy vende nga Ballkani Perëndimor të integrohen nga Bashkimin Evropian – duke nxitur tensione dhe rritur rrezikun që ato të kthehen në një konflikt tjetër.
Kurti që fitoi mbi 50 për qind të vota në zgjedhjet e fundit në Kosovë, sipas Bloomberg është i gatshëm për marrëveshje dhe që të dy vendet të afrohen më shumë drejt ëndrrës së tyre – anëtarësimit në BE – që sipas Kurtit mund të ndodhë sapo dyshja të normalizojnë marrëdhëniet.
“Duhet të kemi një marrëveshje dhe mendoj se është koha që kjo të ndodhë gjatë mandatit të qeverisë tonë”, tha Kurti gjatë një interviste dhënë nga zyra e tij në Prishtinë.
“Po e shoh një mundësi. Këtë vjeshtë do të mësojmë nëse do të shkojmë atje. Kjo vjeshtë është vendimtare për të parë nëse duhet të jemi optimistë”, shtoi Kurti.
Komentet e Kurtit lënë të kuptojnë për potencialin e një momenti të ri, pas shumë vitesh bisedimesh të ndërmjetësuara nga BE-ja që nuk prodhuan përparim në një nga enigmat më të vështira gjeopolitike të Evropës.
Pikat kryesore të pengesave janë refuzimi i Serbisë për ta njohur sovranitetin e fqinjit të saj, dhe kërkesa e tyre që Kosova t’i japë autonomi afërsisht 100 mijë serbëve që jetojnë në Kosovë.
Ndërsa Kurti nuk zbuloi detaje se çfarë mund të përfshijë marrëveshja përfundimtare, të dyja palët gjithashtu duhet të punojnë në çështje të ndryshme – duke filluar nga marrëdhëniet dypalëshe me qëllim që të trajtohen ankesat e së kaluarës që kanë të bëjnë me viktimat e luftës, personat e zhvendosur dhe dëmet e luftës.
Kurti theksoi se ka parë potencial për një marrëveshje nën “plejadën” e administratës së udhëhequr nga presidenti amerikan Joe Biden, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Megjithatë, pranoi se akoma e brengosë fakti që Vuçiq ende nuk e ka distancuar veten mjaftueshëm nga e kaluara e tij, kur shërbeu si Ministër i Informimit gjatë viteve të 90-ta në kohën e Sllobodan Millosheviqit.