Ish i dërguari i posaçëm për Serbinë dhe Kosovën nga ana e SHBA-së, Richard Grenell, është vet-ofruar që të ndërmjetësojë dialogun Kosovë-Serbi, disa ditë pasi i kërkoi presidentit Biden të emërojë një të dërguar special për këtë dialog.
Grenell e ka konfirmuar këtë për The Pavlovic Today, duke thënë se i ka bërë ofertë presidentit të SHBA-së që të ndërhyjë në dialogun Kosovë-Serbi për gjetjen e një zgjidhje reciproke.
“Nëse evropianët nuk mund të arrijnë me një marrëveshje për të zgjidhur tensionet aktuale në Ballkan, atëherë Shtëpia e Bardhë e Bidenit do të duhet të distancohet nga qasja periferike dhe të krijojë një zgjidhje të pranuar reciprokisht. Nëse Joe Biden nuk di si ta bëjë atë, atëherë unë me qejf do ta ndihmoja atë”, tha Grenell.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë prerazi tha se nuk do të emërojë emisar special për dialogun Kosovë-Serbi.
Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, Ned Price, të hënën ka thënë se presidenti Biden ka “dy ambasadorë të konfirmuar në rajon, të cilët po punojnë aktivisht për këtë çështje në bashkëpunim të ngushtë me BE-në”, tha ai para gazetarëve.
Grenell i kishte bërë thirrje Joe Biden të përshpejtojë në këtë drejtim dhe të emërojë një të dërguar presidencial për Kosovën dhe Serbinë.
“Ajo që na duhet tani është diplomacia me muskuj”, kishte deklaruar ish-emisari në Administratën Trump.