Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka njoftuar të shtunën se është arritur marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e letërnjoftimeve.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia do të heqin dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.
“Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe”, ka shkruar Borrell në Twitter.
“Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane. Ne i përgëzojmë të dy liderët për këtë vendim dhe udhëheqjen e tyre”, u shpreh tutje ai.
E kjo marrëveshje, midis Kosovës dhe Serbisë është raportuar gjerësisht nga mediet e shumta botërore.
Duke cituar deklaratën e BE-së, BBC shkroi se Serbia dhe Kosova kanë zgjidhur një mosmarrëveshje për lëvizjen e qytetarëve përtej kufijve të vendeve.
Në anën tjetër, Asociated Press shkruan se komentet e Joseph Borell vijnë pas një mori përpjekjesh diplomatike ndërkombëtare për të zbutur shqetësimet se problemet mund të përshkallëzohen më tej në mes të luftës në Ukrainë dhe lidhjeve të ngushta të Serbisë me Rusinë.
Për marrëveshjen e arritur mes dyja vendeve për çështjen e letërnjoftimeve kanë raportuar edhe Al Jazeera, Reuters e EuroNews.
Kjo marrëveshje nënkupton se Serbia, pas 11 vjetësh, do të ndalë së lëshuari dokument për hyrje-dalje për shtetasit e Kosovës, kur ata hyjnë në territorin e saj.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka mirëpritur marrëveshjen derisa tha se qytetarët e Kosovës do të kalojnë pa pengesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë”, ka shkruar Kurti.
Në anën tjetër, Drejtori i ashtuquajturës “Zyrja për Kosovën” në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se marrëveshja e arritur për dokumentet për hyrje-dalje midis Kosovës dhe Serbisë, siguron paqe dhe stabilitet.
“Falë përpjekjeve të fuqishme diplomatike të presidentit Aleksandar Vuçiq, sot arritëm të marrim garancitë e nevojshme nga BE-ja dhe në këtë mënyrë të arrijmë marrëveshje për lirinë e lëvizjes dhe dokumentet serbe. Me të, ne arritëm të sigurojmë paqe dhe stabilitet në Kosovë e Mehtohi dhe të ruajmë letërnjoftimet serbe për serbët në krahinën jugore, si në veri ashtu edhe në jug të Ibrit. Prandaj mund të them se kemi lajme të rëndësishme”, tha ai përmes një deklarate me shkrim.