Shkëlqim Vladi është aktualisht sulmuesi më efikas shqiptar. Në gjashtë ndeshje të këtij edicioni, Vladi ka shënuar plot tetë gola.
Vladi luan për Aaraun në kategorinë e dytë zvicerane, Challenge League. Dhe me formën aktuale shpejt pritet të bëjë hap në karrierë, përkatësisht të luajë në elitën e shtetit helvetik.
Vetëm në qershor të këtij viti, sulmuesi kosovar firmosi me Aaraun. Pasi Donat Rrudhani kaloi nga Aarau tek Young Boysi, Vladi 21-vjeçar lëvizi në drejtim të kundërt – nga Young Boysi tek Aarau.
Në fakt, në fillim të vitit, Vladi kaloi tek Aarau si huazim nga Young Boysi. Në dhjetë paraqitje, në pjesën e parë të vitit, realizoi katër gola e dy asistime. Por më pas mungoi për shkak të një lëndimi. Lëndimin e ka sanuar, ndërkohë dhe edicionin aktual e ka filluar furishëm.
Në tri ndeshjet e para realizoi nga një gol. Në xhiron e katërt, në barazimin 2:2 me Thunin nuk ia doli ta dërgonte topin në rrjetë. Por shfaqi efikasitet të lartë në ndeshjen ndaj Bellinzonas më 12 gusht. Realizoi “hat-trick” në fitoren 4:0 ndaj Bellinzonas. Ndërkohë të shtunën shënoi dy gola në barazimin 3:3 me Stade-Lausanne. Të dy golat i realizoi nga pika e bardhë, por vazhdoi formën e lartë.
Me tetë gola në gjashtë ndeshje, Vladi aktualisht është golashënuesi më i mirë në kategorinë e dytë zvicerane. Ai ka edhe më së shumti goditje në drejtim të portës – 27.
Vladi është formuar si lojtar tek Young Boysi. Ka luajtur deri në ekipin U21, por pa depërtuar në ekipin e parë. Si huazim luajti edhe tek Yverdoni, ku realizoi tri gola e dy asistime në 21 paraqitje.
Me Aaraun ka kontratë deri në vitin 2025.
“Aarau mund të llogaritë në Vladin”, ka shkruar “Blick”. “Ky lojtari e di se ku gjendet goli”.
Tek Aarau, Vladi ka bashkëlojtarë shqiptarë prej të cilëve mund të mësojë shumë. Pjesë e kësaj skuadre është Shkëlzen Gashi, sulmues me shumë suksese në Zvicër. Binjamin Hasani, Arijan Qollaku, Milot Avdyli, Valon Fazliu, Imran Bunjaku, Samuel Krasniqi janë lojtarët e tjerë shqiptarë të Aaraut.
Aarau ka startuar me dy fitore, tri barazime e një humbje. Aktualisht mban vendin e pestë me nëntë pikë.
Valon Fazliu shënoi golin tjetër, të shtunën. Ndërkohë Mërgim Qarri i kishte dy asistime për Lausannen.
Lirik Vishi ka shënuar një gol për Yverdonin që fitoi 2:1 ndaj Schaffhausenit.