SC Gjilani reagon publikisht për fyerjet raciste ndaj futbollistit Cale (VIDEO)

SC Gjilani reagon publikisht për fyerjet raciste ndaj futbollistit Cale (VIDEO)

Një rast racizmi ndodhi gjatë xhiros së tretë në Superligën e Kosovës në futboll, në ndeshjen Gjilani – Drenica.

Në lidhje me këtë rast Sport Club Gjilani ka reaguar përmes një postimi në profilin e tyre në Facebook, ku edhe kanë bërë me dije se pas përfundimit të ndeshjes janë lajmëruar edhe organet gjegjëse në Federatën e Futbollit të Kosovës, raporton Gazeta Enigma.

“Sport Club Gjilani reagon publikisht për fyerjet raciste në drejtim të futbollistit Elton Cale. Futbollisti Cale u ofendua në baza racore nga Shkëlzen Lushtaku, futbollist i Klubit “Drenica” nga Skenderaj në duelin e xhiros së tretë në kampionatin “Albi Mall Superliga””, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje ata përmes këtij postimi kanë njoftuar se “Klubi ka reaguar menjëherë duke lajmëruar zyrtarin e ndeshjes, ztr. Agim Hasanin, gjyqtarin e katërt Isak Ceroviku dhe gjyqtarin kryesor Alban Shala. Po ashtu, edhe pas përfundimit të ndeshjes janë lajmëruar organet gjegjëse në Federatën e Futbollit të Kosovës”.

Sipas tyre tanimë në lidhje me rastin janë njoftuar të gjitha organet kompetente, dhe presin dënimin për fyerjet kundrejt futbollistit Cale.

“Të njoftuar tashmë janë edhe shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve, si dhe Komisioni i Etikës pranë UEFA-së, pasi që konsiderojmë se këto fyerje dhe sjellje në drejtim të futbollistit Cale nuk duhet të kalojnë pa u ndëshkuar, e në rastin më të vogël pa reaguar”, thuhet në postimin e tyre.

“Në këto momente jo të lehta për futbollistin Cale dhe familjen e tij, ne qëndrojmë afër tyre dhe i ofrojmë mbështetje të plotë në luftën kundër racizmit, duke i siguruar që do të jemi vazhdimisht ‘këmbanë’ e këtij fenomeni të shëmtuar”.

“Sport Club Gjilani u bën thirrje gjithë futbollistëve dhe komunitetit sportiv në vend të kenë më shumë tolerancë ndërmjet vete dhe lojën e futbollit ta bazojnë në suazat e fair-playt dhe jo në suaza të racizmit”, thuhet në njoftimin e tyre. /Gazeta Enigma/

Related Articles