Gjilani është ekipi me startin më të mirë të kampionatit, teksa në katër xhirot e para ka regjistruar tri fitore dhe një barazim, duke udhëhequr kështu klasifikimin në “Albi Mall Superligë” me 10 pikë.
“Kuqebardhët” në ndeshjen e fundit kanë triumfuar në shtëpi përballë Trepçës ’89 (3-1), por që morën një lajm aspak të këndshëm.
Gjilanasit humbën mbrojtësin e qendrës Besart Krivanjeva, i cili pësoi një zgjatje muskulare dhe siç mëson Gazeta “Enigma” ai me shumë mundësi do ta humbasë ndeshjen ndaj Dukagjinit në vikend.
Krivanjeva është duke u trajtuar aktualisht, derisa në vikend pritet të bashkohet me grupin, por vështirë që do të aftësohet për ndeshje.
Por, lajm i mirë për “Skifterat” është rikthimi i mesfushorit Arbnor Ramadani, i cili rikthehet pas suspendimit.
Kujtojmë që Ramadani pushoi në ndeshjen e fundit ndaj Trepçës ’89 pas kartonit të kuq që mori në përballjen me Drenicën në xhiron e tretë.
/Gazeta Enigma/