Kabashit i vjen keq për tifozët, ndaj Sivassporit e Slavias priten bileta më të lira

Kabashit i vjen keq për tifozët, ndaj Sivassporit e Slavias priten bileta më të lira


Tifozët e Ballkanit, por edhe tifozë të tjerë në Kosovë kanë reaguar pas publikimit të çmimit të biletave për ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Ligës së Konferencës, që ekipi nga Suhareka e luan ndaj Clujit rumun.

Dueli ndërmjet kampionit të Kosovës dhe kampionit nga Rumania zhvillohet më 8 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë prej orës 18:45.

Tifozë të shumtë kanë shkruar në faqen zyrtare të Ballkanit, të pakënaqur me çmimet, që, sipas tyre, janë të larta.

Ballkani ka vendosur që një biletë për tribunat në veri dhe në jug (prapa portave) të kushtojë 5 euro. Për tribunën në lindje bileta kushton 10 euro, kurse për pjesën perëndimore një biletë kushton 15 euro. 50 euro është vendosur të jetë bileta në tribunën VIP.

Te Ballkani thonë se sipas rregullores së UEFA-s, të gjitha biletat duhet të shiten “online”.

Kryetarit të Ballkanit, Arsim Kabashi, i vjen keq për çmimet që klubi i ka vendosur për ndeshjen e parë të fazës së grupeve të garës së tretë të UEFA-s për nga niveli (Liga e Konferencës).

Për Ballkanin është hera e parë që paraqitet në garat evropiane. Po ashtu është hera e parë që një klub kosovar do të luajë në fazën e grupeve të një gare që e organizon UEFA.

Kabashi ka pohuar për Kohën të enjten pasdite se çmimet nuk janë bërë për të fituar, por për t’iu përshtatur nivelit të garës.

“Na vjen shumë keq për tifozët, por kemi menduar që çmimet nuk janë të larta. Është ndeshje e fazës së grupeve të Ligës së Konferencës dhe e kemi planifikuar në atë formë, pasi po bëhet fjalë për garë evropiane. Një biletë për ndeshje të Superligës po kushton tri euro dhe kemi vendosur që për ndeshje ndërkombëtare të jenë çmimet ashtu siç i kemi caktuar. Çmimet nuk i kemi bërë për të fituar, pra nuk është qëllimi të fitojmë nga shitja e biletave, pasi ndaj Shkupit e kemi lënë biletën edhe një euro dhe e kemi mbushur stadiumin”, tha Kabashi.

Ai ka konfirmuar se janë duke bërë përpjekje që në dy ndeshjet e tjera si vendas, ndaj Sivassporit dhe Slavia Pragës, çmimet të jenë më të lira. Për këtë çështje Kabashi theksoi se i kanë shkruar UEFA-s dhe janë në pritje të përgjigjes.

“Ne i kemi shkruar UEFA-s dhe kemi kërkuar që t’i ndryshojmë çmimet për dy ndeshjet e radhës në shtëpi. Për ndeshjen ndaj Clujit është vonë dhe nuk ka gjasa që të ndryshohen çmimet pasi ka kaluar afati që mund ta kërkojmë një gjë të tillë. Na vjen shumë keq prej tifozëve. Gjendja jo e mirë ekonomike në Kosovë mund të jetë arsye që çmimet duken të larta dhe ne po tentojmë që t’i ndryshojmë ato për dy ndeshjet tjera dhe shpresoj që ta bëjmë një gjë të tillë”, përfundoi Kabashi.

Ballkani do të bëjë garë në Grupin G të Ligës së Konferencës së bashku me Sivassporin, Slavia Pragën dhe Clujin.

Pas ndeshjes ndaj Clujit në Prishtinë më 8 shtator, Ballkani do t’i luajë dy ndeshje si mysafir. Së pari i shkon Slavias në Pragë më 15 shtator, kurse më 6 tetor do të jetë mysafir i Sivassporit.

Skuadrën turke e pret më 13 tetor, ndërsa Slavian çeke e pret më 27 tetor. Me Clujin e mbyll fazën grupore, me ndeshjen në udhëtim më 3 nëntor.

Related Articles