Kosova shënon fitore të madhe ndaj Armenisë

Kosova shënon fitore të madhe ndaj Armenisë

Kombëtarja e Kosovës në futboll (vajzat) e ka shënuar fitoren e dytë në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm. Të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri”, Kosova fitoi 2:1 ndaj Armenisë. Edhe fitoren e parë në këtë cikël, Kosova e kishte shënuar ndaj Armenisë.

Por fitorja ndaj përfaqësueses bindshëm më të dobtë në grup, ishte e vështirë për Kosovën. Ajo është arritur fare në fund.

Armenia deri të enjten nuk kishte gol të shënuar në tetë ndeshjet të cilat i kishte humbur. Gjatë këtyre tetë ndeshjeve kishte pranuar plot 62 gola.

Por një moment pakujdesie në mbrojtjen e Kosovës në minutën e 77-të, i mundësoi Armenisë që të kaloi në epërsi 1:0. Mbrojtësja Blerta Smaili ktheu një top te portierja Besarta Leci. Por pasoi keq, ndërsa Leci nuk ia doli ta ndalë topin që përfundoi në rrjetë. Kështu Armenia e shënoi golin e parë në këtë cikël.

Por nuk vonoi shumë dhe erdhi reagimi i vajzave të Kosovës. Menjëherë në minutën e 78-të, Valentina Metaj barazoi shifrat në 1:1.

Kosova e kërkoi golin e fitores dhe atë e arriti në minutën e 87-të. Donjeta Halilaj krosoi nga një goditje dënimi, ndërsa topin në zonë e preku kapitenia Erëleta Memeti. Memeti e devijoi mjaftueshëm topin sa për të përfunduar në rrjetë.

Kosova ka dominuar plotësisht në fushë dhe ka krijuar raste të shumta shënimi. Por fitoren nuk e arriti deri në momentet e fundit. Madje disa herë lojtaret e Kosovës e kanë goditur shtyllën, në pjesën e parë.

Kosova mbetet e parafundit në grup me shtatë pikë. Armenia është e fundit, përkatësisht e gjashta, pa pikë. Në vendin e katërt është Shqipëria me dhjetë pikë. Pikërisht me Shqipërinë, Kosova e ka fituar një pikë, pos gjashtë pikëve nga dy fitoret me Armeninë.

Kosova e mbyll këtë cikël eliminator me ndeshjen e 6 shtatorit ndaj Polonisë. Ajo ndeshje luhet në Lublin.

Related Articles