“Mungesa e energjisë elektrike dhe ajo e punëtorëve janë sfidat kryesore të gastronomeve në Kosovë”, tha kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT), Hysen Sogojeva në një intervistë për Gazetën Enigma.
Ndërsa sipas tij, rritja e çmimeve dhe tash edhe reduktimet e rrymës, kanë bërë shumë që të mendojnë për shtrenjtim të çmimeve të shërbimeve.
Megjithatë, Sogojeva shton se përkundër pengesave që i janë shfaqur këtij sektori, në dy muajt e fundit gjendja ka qenë më e mirë për shkak të ardhjes së diasporës.
Po ashtu Sogojeva ka theksuar se rritja e çmimeve të produkteve në treg po e bën të pamundur që çmimet të mos lëvizin.
“Produkti është rritur, sot në treg është rritur qind për qind, nuk mund të mbulohen shërbimet. Por është problem, pasi nëse rriten çmimet atëherë humbet klientela. Tash kemi edhe këto reduktime të rrymës, ato duhet mbuluar me gjeneratorë, e ka humbje. Ndoshta gjithë puna ditore shkon te shpenzimet e naftës për gjeneratorë”, shtoi ai.
Ai ka treguar se për momentin ky sektor ka probleme edhe me mungesë të stafit.
“Pra nëse vazhdojmë me këtë trend në mungesë të punëtorëve kemi me e përdorë sistemin e vetëshërbimit sikurse në shumë vende evropiane”, thotë Sogojeva.
Kjo është intervista e plotë e Hysen Sogojevës e dhënë për Gazetën Enigma:
Gazeta Enigma: Si është gjendja momentale e gastronomisë në Kosovë përkundër pengesave të ndryshme që janë shfaqur?
Momentalisht dy muajt e fundit korrik – gusht ka qenë gjendja pak më e mirë për shkak se kemi pasur turistë të shumtë në vendin tonë. Por, problemi me energjinë elektrike e sidomos rritja e çmimeve në produktet bazë kanë ndikuar negativisht, pasi që kur produkti është blerë më i shtrenjtë logjikisht edhe shitet më shtrenjtë gjë që paraqet humbje të klientelës, do të thotë se gjatë kësaj periudhe gastronomia ka qenë dyfish më e rrezikuar. Edhe gjatë pandemisë kanë qenë më të rrezikuarit, përveç njëfarë rehabilitimit që e patëm u shfaq problemi me rrymë.
Gazeta Enigma: A mundë të jetë arsye që mungesa e punëtorëve të detyrojë sektorin e gastronomisë të fus në funksion sistemin e vetëshërbimit?
Për momentin ky sektor ka probleme edhe me mungesë të stafit. Pra, nëse vazhdojmë me këtë trend në mungesë të punëtorëve kemi me e përdorë sistemin e vetëshërbimit, sikurse në shumë vende evropiane. Kur fillojnë klientët të shërbehen vetë, një hotel ose restorant mundet të funksionojë me 4 – 5 punëtorë. Shumica që po vinë në Kosovë, gjysmën e pushimit e kalojnë në bregdet në Shqipëri e Mal të Zi e gjysmën këtu. Kështu që nuk qëndrojnë këtu 3-4 javë si në të kaluarën. Të hyrat janë përgjysmuar tashmë. S’ka të ardhura siç kemi pasur më parë.
Gazeta Enigma: A do të zhvillohet vetëshërbimi për shkak të krizës momentale?
Ky sistem ka me qenë edhe në të ardhmen sepse nuk është vetëm për shkak të një krize momentale, pasi që tani një sistem i tillë zhvillohet në shumë vende tjera të botës.
Gazeta Enigma: A do të ketë rritje të çmimeve në sektorin e Gastronomisë?
Produkti është rritur, sot në treg është rritur qind për qind, nuk mund të mbulohen shërbimet. Por është problem, pasi nëse rriten çmimet atëherë humbet klientela. Tash kemi edhe këto reduktime të rrymës, ato duhet mbuluar me gjeneratorë, e ka humbje. /Gazeta Enigma/