Ndeshja ndaj Clujit do të jetë përvoja e parë në fazë grupore të kupave evropiane për shumicën e lojtarëve të Ballkanit. Kampioni i Kosovës të enjten e nis rrugëtimin në fazën grupore të Ligës së Konferencës.
Faza grupore e kupave evropiane megjithatë është “territor i shkelur” për tre lojtarë të ekipit nga Suhareka e po ashtu për trajnerin Ilir Daja.
Bajram Jashanica, Leonit Abazi dhe Nazmi Gripshi, ndonëse ky i fundit vetëm si zëvendësues, ishin më herët në grupe.
Të tre kanë qenë pjesë e Skënderbeut në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, njëjtë si trajneri Daja.
Daja udhëhoqi ekipin korçar në edicionin 2017/2018. Jashanica ishte pjesë e rëndësishme e përbërjes së parë të Skënderbeut atë edicion, kurse Abazi nuk u paraqit shkaku i lëndimit.
Abazi luajti në edicionin e parë të Skënderbeut në grupe, 2015/2016. Pati gjashtë paraqitje.
Nazmi Gripshi ishte rezervist te Skënderbeu në edicionin 2017/18, kurse tani është titullar i padiskutueshëm te Ballkani.
Mbrojtësi Bajram Jashanica ka thënë për Kohën se vetëm ata lojtarë që kanë luajtur në kompeticionet e UEFA-s mund të tregojnë se sa ndjenjë e veçantë është. Në edicionin 2017/2018 ai ka luajtur në pesë ndeshje në grupet e Ligës së Evropës, kurse në një duel ka qenë në bankën e rezervistëve. Ndërkaq në sezonin 2015/2016 ishte paraqitur po ashtu në pesë ndeshje dhe kishte shënuar një gol kundër Sportingut.
“Vetëm ai i cili përjeton një gjë të tillë e di se çfarë ndjenje është të futesh në një garë evropiane. Është një arritje shumë e madhe dhe ëndërr për çdo futbollist. Fati ynë ishte që kishim profesor Ilir Dajën me stafin të cilët kanë përvojë të madhe e që na kanë ndihmuar. Po na ndihmon prapë. Por, nuk do të ndalojmë me kaq, pasi kemi kualitet dhe do të bëjmë akoma edhe më mirë. Është kënaqësi e jashtëzakonshme të luash në këto kompeticione. Për mua do të jetë hera e tretë gjë që më bën shumë të lumtur. Me punë dhe karakter të fortë sportiv arrin gjithçka”, u shpreh Jashanica për KOHËN.
Ai zbulon se kur ka ardhur te Ballkani synimi i presidentit Arsim Kabashi ishte që ekipin nga Suhareka ta bënte të suksesshëm sikurse Skënderbeun.
“Më ka thënë presidenti kur kam ardhur te Ballkani, se a do ta bëjmë Ballkanin si Skënderbeun dhe i kam thënë po. Por duhet shumë punë që të arrihet Skënderbeu në Evropë. Ne jemi në rrugën e duhur. Të vazhdojmë kështu me këta hapa dhe pse jo, të arrihet një gjë e tillë. Skënderbeu ka qenë 7-8 vjet në krye të Superiores në Shqipëri. Kështu duhet të vazhdojmë edhe me Ballkanin, duke bërë gjëra të mëdha”, theksoi Jashanica.
Ai shton se ka qenë rrugë e vështirë që të sigurohen grupet e Ligës së Konferencës me Ballkanin. Por, thekson se nuk janë rastësisht në këtë pikë dhe do të synojnë befasinë.
“Përderisa kemi arritur këtu me meritë, normal që do të kërkojmë rezultatet pozitive në këto ndeshje që do t’i kemi në grup. Tani nuk kemi presion të lartë siç kishim në ndeshjet kualifikuese. Çdo ndeshje e ka rëndësinë e vet, ka historinë e vet dhe do të përpiqemi që deri në ndeshjen e fundit të luftojmë siç kemi bërë deri më tani dhe pse jo me rezultatet të mira edhe në grupe. E dimë që janë kundërshtarë të fortë, por ne nuk kemi shkuar rastësisht aty”, u shpreh Jashanica.
Rrugë të vështirë e ka vlerësuar edhe mbrojtësi i krahut të majtë, që luan edhe në mesfushë Leonit Abazi.
“Ka qenë një rrugëtim goxha i vështirë, për vetë faktin që kur arrin të hysh në grupe të Ligës së Konferencës nuk ke asgjë të lehtë. Janë ndeshje të veçanta, sepse nuk vijnë gjithmonë në jetën sportive dhe duhet t’i shijojë çdo futbollist”, u shpreh Abazi.
Ai shpreson që të kenë paraqitje të mira edhe në fazën e grupeve. Thekson se është ndjenjë e veçantë të luash në nivele të larta të futbollit evropian.
“Shpresoj që të kemi paraqitje sa më të mira dhe pse jo të arrijmë rezultate pozitive. Dallime ndërmjet klubeve nuk do të bëja. Kam qenë për kohë të gjatë te Skënderbeu ku së bashku me tre lojtarë plus trajnerin Ilir Daja kemi luajtur në grupet e Ligës së Evropës. Ka qenë ndjenjë e veçantë. Shpresoj që ta shijojmë edhe me Ballkanin ku jemi në grupet e Ligës së Konferencës”, u shpreh Abazi.
Ballkani do të bëjë gara në Grupin G të Ligës së Konferencës së bashku me Sivassporin, Slavia Pragën dhe Clujin.
Ndeshjen e parë kampioni i Kosovës e luan kundër Clujit të enjten, prej orës 18:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”.