Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, deklaroi të enjten se greva në arsim do të vazhdojë, siç tha, për shkak të mungesës së vullnetit të Qeverisë së Kosovës që të gjejë zgjidhje.
Ai tha se janë në komunikim të vazhdueshëm edhe me Unionin e Sindikatave të Evropës dhe se kanë pranuar letër mbështetjeje në emër të 10 milionë anëtarëve.
Këto deklarata Jasharaj i bëri në konferencë për media, ku të pranishëm ishin edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë (SPASH), Nevrus Kaptelli si dhe nënkryetari i Sindikatës së Arsimit të Maqedonisë Veriore (SONK), Tafa Ameti.
“Greva po vazhdon fatkeqësisht për shkak të mungesës së vullnetit të Qeverisë që të ulet me përfaqësuesit e sindikatës për të gjetur një zgjidhje. Jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me unionin e sindikatave të Evropës dhe kemi marrë letër mbështetjeje në emër të 10 milionë anëtarëve”, u shpreh ai.
“Jemi në komunikim edhe me vëllezërit tonë nga Shqipëria, të cilët në emër të sindikatës kanë ardhur në Kosovë për të shprehur mesazhin e solidaritetit dhe mbështetjes. SBASHK-u dhe sindikatat tjera janë të hapura për të dialoguar me Qeverinë. Deklarata e ministres së Arsimit se dyert janë të hapura, por SBASHK-u nuk do dialog janë një porosi e gabuar. Në të kalurën jemi takuar me të, por tani nuk po ka kohë sepse po shkon në vizita”.
Ndërsa, kryetari i SPASH-it, Nevrus Kaptelli, tha i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që të ulën në tavolinën e bisedimeve me sindikatat dhe të bëjnë zgjidhje për kërkesat e këtyre të fundit.
“Sindikata e Pavarur e Arsimit në Shqipëri që unë përfaqësoj vlerëson ndihmën që Qeveria e Kosovës ka dhënë për qytetarët e saj gjatë pandemisë dhe krizës me fillimin e luftës në Ukrainë. Ajo që kemi përfituar ne në Shqipëri ka qenë disa herë më e vogël se ajo që ka dhënë Qeveria juaj. Por, sot jam këtu për të mbështetur vëllezërit tanë të SBASHK-ut në grevën që kanë nisur për të realizuar ato kërkesa që ne i vlerësojmë të drejta”.
“Ju bëj thirrje ministres së Arsimit dhe kryeministrit që të ulen në tavolinën e bisedimeve dhe të flasin për kërkesat e SBASHK-ut, sepse nuk ka asnjë rrugë tjetër. Një qeveri e përgjegjshme duhet që së pari të vlerësojë sindikatat e mësuesve”.
“Të gjithë ne jemi produkt i mendjes dhe punës së mësuesve. Nëse Qeveria do që Kosova të zhvillohet duhet të vlerësojë maksimalisht arsimin, pra më shumë buxhet për arsimin dhe paga më të lartë për mësimdhënësit”.