Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, këtë të premte ka pritur në takim në ambientet e Ministrisë së Arsimit, përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), me të cilët ka diskutuar për grevën e cila po vazhdon qysh nga 25 gushti i këtij viti.
Megjithatë takimi në fjalë ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje për të ndërprerë grevën në arsim.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Arsimit, Nagavci ka kërkuar nga përfaqësuesit e SBASHK-ut, që mësimdhënësit që nga e hëna të fillojnë procesin mësimor ndërkohë që dialogu të vazhdojë.
Sipas Nagavcit, pjesa më e madhe e punëtorëve janë në vendet e tyre të punës ndonëse greva është shpallur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës për 84 mijë zyrtarë publikë.
“Ata që po pësojnë nga greva e shpallur janë rreth 320 mijë nxënës që kanë mbetur jashtë bankave shkollore. Secili prej nesh e kemi obligim moral e ligjor të sigurohemi për mirëqenien e fëmijëve dhe garantimin e së drejtës së tyre për arsim”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Më tej, Nagavci ka informuar përfaqësuesit e SBASHK-ut në lidhje me masat e fundit të Qeverisë, më saktësish për pakon prej 150 milionë eurosh, ku përfshihen edhe mësimdhënësit.
Ndërkaq, përfaqësues të Sindikatës kanë thënë se shtesa prej 50 eurosh e ndarë nga Qeveria nuk është e mjaftueshme dhe duhet të gjendet një zgjidhje për realizimin e kërkesës së tyre prej 100 euro.
“MASHTI është për dialog dhe që Sindikata duhet të reflektojë në arritjen e një marrëveshje duke mos përdorur masa ekstreme”, përfundon komunikata. /Gazeta Enigma/