ara rrafsh katër vjetëve, Aleksandar Vuçiq kishte vizituar Liqenin e Ujmanit në Kosovë.
Sikur atëherë edhe tani presidenti i Serbisë merret me atë se çka po ngjan në masivin ujor që mbi 95% shtrihet në territorin kosovar.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi të enjten se për herë të parë, sipas tij, pas përfundimit të luftës forcat e rendit nisën patrullimet me barka policore.
Kjo ka prekur Vuçiqin që thotë se politikanët në Prishtinë po duan të tregohen sunduesë në krejt Kosovën dhe se Beogradi s’do të durojë.
“Mbrëmë unë i paralajmërova përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe negociatorët dhe ju thashë mendoni se me çka po vini në Beograd, sepse ne këtë nuk do ta tolerojmë. Për dallim nga ata që po kërcënojnë me sundim, ne vetëm ju lusim që t’i respektoni normat publike ndërkombëtare dhe asgjë më shumë”.
Liqeni i Ujmanit ndodhet në komunën e Zubin Potokut, derisa diga e tij është në fshatin Gazivodë të po kësaj komune.
Aty pati lundruar edhe ish-presidenti kosovar, Hashim Thaçi, më 29 shtator të vitit 2018 në një demonstrim të kontrollit shtetëror mbi liqenin më të madh në vend.