Richard Grenell është veç një qytetar i thjesht amerikan dhe nuk përfaqëson më qëndrim zyrtar, por marrëveshja e arritur, përmes tij, në Uashington, në mes Kosovës e Serbisë vitin e kaluar është po aq zyrtare sa në kohën kur u nënshkrua.
Kështu thuhet në një përgjigje me shkrim të zyrës për media të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
“Si e tillë, ne presim që të dy palët të respektojnë premtimet e tyre dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me Kosovën dhe Serbinë për t’i zbatuar plotësisht këto zotime”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane në Kosovë.
“Administrata e Biden-it kohët e fundit përfundoi një përmbledhje të plotë të politikave të saj në Ballkanin Perëndimor. Vendosi që shumë prej përpjekjeve të administratës së mëparshme, përfshirë angazhimet e Uashingtonit, ia vlen të ruhen dhe të ndërtohet në të ardhmen mbi to”.
Sa i përket Grenell’it – ish i dërguar special i SHBA-ve për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – dhe lajmeve në disa media se ai po konsultohet edhe nga administrata e Joe Biden, ambasada amerikane e bën të qartë se fjala e Grenell s’paraqet asgjë zyrtare.
“Zotëri Grenell është një qytetar privat i SHBA-ve dhe si i tillë aktualisht nuk përfaqëson qeverinë e Shteteve të Bashkuara”.
Ndërkaq sipas analistit politik Fitim Salihut, “mesazhi nga administrata Biden është i qartë, vis-a-vis Marrëveshjes së Uashingtonit.
“Ata janë konsistentë me administratën e Tramp-it dhe do ta respektojnë atë në këtë pikë (Marrëveshjen e Uashingtonit)”.
“Ky është një mesazh i qartë i administratës Biden kundrejt Kurtit”, tha Salihu për AP.
Sipas Salihut “ai (Kurti) nuk mund t’i bishtnojë përgjegjësisë qe ka si kryeministër dhe duhet të merret me këtë çështje”.
“Ne vitin e kaluar, Kurti është justifikuar se problemin e ka me administratën Tramp. Por, nëse serish e prolongon dialogun, dhe nëse kjo bie ndesh me kërkesat amerikane rreth kësaj çështjeje, atëherë Kurti më nuk mund të justifikohet dhe kjo do të shpinte në tensionim tejet serioz të raporteve me amerikanët”, pohoi Salihu në një prononcim me shkrim për Albanian Post.
“Është e vështirë te thuhet se ne çfarë shkalle do te dëmtoheshin këto raporte, por është e sigurt se ky do të ishte një gabim i pafalshëm historik”, shtoi ai.
Albanian Post për këtë çështje ka dërguar pyetje në adresë të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke i pyetur se a do ta zbatojnë marrëveshjen e katër shtatorit në Uashington, por që nga ekzekutivi nuk kanë kthyer përgjigje.
Në muajin tetor të vitit të kaluar, Kurti atëkohë si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte shkruar në Twitter se nuk do t’i zbatojë vendimet e një kryeministri të paligjshëm duke aluduar në Avdullah Hotin.
“Ne nuk jemi të detyruar nga zotimet e Kryeministrit të paligjshëm të Kosovës kur të kthehemi në detyrë. Nënshkrimi i tij poshtë teksteve jo koherente është kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, kishte shkuar Kurti.
Kurti një vit më parë, kishte refuzuar të shkonte në Uashington me arsyetimin se atje po e presin “thikat mbi harta”.
Qeveria “Kurti 1” ishte rrëzuar nga partneri në koalicion, Lidhja Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se po dëmton partneritetin me SHBA.
Kryeministri Kurti kishte kritikuar edhe ish emisarin amerikan për dialog, Richard Grenell dhe metodat e tij të operimit politik në raport me Kosovën, transmeton Albanian Post.