Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci i është gëzuar fillimit të mësimit në disa shkolla të vendit derisa iu ka bërë sërish thirrje mësimdhënësve t’iu kthehen shkollave.
“Më vjen mirë që fëmijët në shumë shkolla të Gjakovës, tashmë po fillojnë vitin e ri shkollor, po aq sa më vjen keq që shumë të tjerë në Kosovë i gjen mesi i shtatorit pa mundësinë për të qenë në shkollë me shokët e shoqet, me mësuesit e mësueset e tyre”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
“I falënderoj mësimdhënësit e Gjakovës dhe të gjithë ata mësimdhënës kudo në Kosovë, që e kanë kuptuar drejt situatën, kërkesën tonë për fillimin e mësimit dhe veprimet serioze që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për ta përmirësuar situatën financiare të të gjithë qytetarëve, përfshirë mësimdhënësit dhe familjet e tyre”.
Ajo thotë se me këtë veprim këta mësimdhënës që u janë kthyer shkollave kanë treguar devotshmëri e dashuri dhe kanë marrë parasysh interesin parësorë të fëmijëve.
“Arsimi është baza e zhvillimit shoqëror e ekonomik dhe punonjësit e arsimit janë formësuesit kryesorë të këtij zhvillimi. Profesioni i mësimdhënësit në veçanti, përveçse është fisnik, mbart në vete vlera të larta njerëzore e morale. Ky profesion reflekton dinjitet, sinqeritet, barazi, përgjegjësi e liri të të menduarit”.
“Këtë po e dëshmojnë edhe mësimdhënësit dhe stafi përcjellës i shkollave që në këto rrethana të vështira kanë hapur dyert e veta për fëmijët e nxënësit kudo në Kosovë. Përveç detyrës fisnike, ky vendim kolegjial po dëshmon edhe një herë përkushtimin tuaj për profesionin dhe përmbushjen e rolit tuaj të pazëvendësueshëm në jetën e zhvillimin e fëmijëve tanë! Me një qasje të tillë po modeloni edhe tek nxënësit e prindërit devotshmëri e dashuri”.
Po tregoni se si veprohet drejt e në interesin parësor të fëmijëve edhe atëherë kur rrethanat janë tejet sfiduese për të gjithë”.
Nagavci ka thënë se Ligji i Pagave këtë javë do të dalë në diskutim publik.
“Ju bëj thirrje që t’i ktheheni procesit mësimor të gjithë, të kryeni misionin e rëndësishëm që keni, duke i motivuar fëmijët që të arrijnë të kompenzojnë edhe humbjet e shkaktuara nga pandemia”.
“Ashtu siç e theksoi edhe kryeministri Kurti në konferencën për media, Ligji për pagat këtë javë do të dalë në debat publik. Ju siguroj se po punojmë pa ndalë për të përmirësuar situatën në arsim edhe me veprime të tjera konkrete”.
Ministrja e Arsimit ka thënë se dialogu social mund të vazhdojë tutje edhe pa e dëmtuar të ardhmen e fëmijëve.
“Duke e respektuar të drejtën e secilit për pagë më të mirë e jetë më të dinjitetshme në Kosovë, ju siguroj edhe një herë se jam skajshmërisht e përkushtuar që të bëjmë më të mirën brenda mundësive që kemi. I mirëkuptoj kërkesat tuaja dhe ju kam në vëmendje të vazhdueshme, por dialogu social mund të vazhdojë tutje edhe pa e dëmtuar të ardhmen e fëmijëve”.
Sipas saj, qeveria nuk do ta lerë anash asnjë shqetësim të mësimdhënësve.
“Nuk do të lëmë anash asnjë shqetësim të mësimdhënësve, përfshirë mirëqenien tuaj, ashtu siç kemi marrë një sërë veprimesh konkrete deri më tani për të zgjidhë secilën vështirësi me të cilën ballafaqoheni”, deklaroi Nagavci.