Pas suksesit të jashtëzakonshëm në lojërat olimpike “Tokio 2020”, mirënjohjet personale për trajnerin Driton Kuka nuk kanë të ndalur. Kuka është shpallur trajneri më i mirë i xhudos në botë për vitin 2021, ndërsa u shpall edhe trajneri më i mirë i xhudisteve në Evropë për vitin e kaluar. Me gjithë sukseset e mëdha, Kuka për kohë të gjatë nuk e ka pasur vlerësimin e drejtë në botën e xhudos. Por kjo ka ndryshuar tërësisht pas Lojërat Olimpike që verën e kaluar u mbajtën në kryeqendrën e Japonisë.
Kosova fitoi dy medalje të arta, me Distria Krasniqin në kategorinë deri 48 kilogramë dhe me Nora Gjakovën në kategorinë deri 57 kilogramë. Japonezët kishin llogaritur në dy tituj në këto kategori, por Kuka dhe nxënëset e tij kishin plane të tjera. Kosova ishte e dyta në listën e medaljeve në Tokio, pas Japonisë.
Trajnerit të Kosovës në xhudo i është bërë edhe një vlerësim i madh të hënën. Presidenti i Unionit Evropian të Xhudos (EJU), Laszlo Toth, i ka shkruar letër Federatës së Xhudos së Kosovës, përmes së cilës ka kërkuar që Kuka të kryejë edhe për një mandat detyrën e anëtarit të Komisionit të Trajnerëve të EJU-së.
Në letër, Toth ka shkruar në superlativ për nivelin e Kukës si trajner dhe për kontributin e tij për xhudon evropiane.
“Pas propozimit dhe vendimit të Sektorit për Sport të Unionit Evropian të Xhudos, ftojmë Driton Kukën që të vazhdojë punën e tij në Komisionin e Trajnerëve të EJU-së. Jemi të sigurt se përvoja e tij e madhe dhe ekspertiza profesionale do të kontribuojnë në punën e ekipit të Komisionit të Trajnerëve për të mirën e xhudos kosovare dhe asaj evropiane”, ka shkruar i pari i xhudos evropiane, Laszlo Toth.
Ai ka kërkuar aprovimin formal të FXHK-së për nominimin që i ka bërë Kukës.
Komisioni i Trajnerëve është organ i vlerësuar i EJU-së. Ai ka rol këshillëdhënës për Komitetin Ekzekutiv të EJU-së lidhur me çështjet sportive. Kuka është pjesë e këtij organi që nga viti 2020.
Kuka ishte i vetmi prej trajnerëve të xhudos që u ftua nga presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, në panelin që diskutoi për ndryshimin e rregullave për ciklin e ri olimpik.
Në Komitetin Ekzekutiv të EJU-së tashmë është Agron Kuka, kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës. Dhe kështu ndikimi i xhudos kosovare në xhudon evropiane po shkon duke u rritur vazhdimisht.
Aktualisht Driton Kuka po e përgatit ekipin për pjesëmarrje në Botërorin e Xhudos që mbahet muajin tjetër. Të tjera suksese priten prej nxënësve të tij.