Kombëtarja e Kosovës në futboll e mbyll kampanjën në Ligën e Kombeve të martën kur luan ndaj Qipros.
Kosova dhe Qipro takohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me fillim nga ora 20:45, në kuadër të Grupit 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.
Shtëpia më e madhe e futbollit në Evropë, UEFA tanimë ka bërë delegimin e gjyqtarëve për këtë sfidë shumë të rëndësishme për fatin e dy kombëtareve në renditjen tabelore.
Kristo Tohver, Silver Koiv dhe Sten Klaasen, treshja e gjyqtarëve nga Estonia do të ndajnë drejtësinë në tempullin “Fadil Vokrri”.
Gjyqtar i katër do të jetë poashtu një estonez, Juri Frischer. Ndërkohë në sistemin VAR janë gjyqtarët italianë, Gianluca Aureliano dhe Daria Cecconi.
“Dardanët” janë në vendin e dytë me gjashtë pikë, një më shumë se Irlanda e Veriut dhe Qipro që kanë nga pesë pikë. Greqia është e para me 12 pikë.