Ruslan, 41-vjeçar, ish-menaxher i shitjeve që kërkoi që të mos i publikohej mbiemri për arsye sigurie, nisi të mësonte sesi të operonte dronët e luftës në fillim të pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit.
Njësia e rezervistëve e Ruslanit ishte afër aeroportit Gostomel të Kievit në ditën e parë të luftës kur parashutistët e njësive elite të Rusisë nisën sulmin. Teksa forcat ukrainase u përpoqën të zmbrapsnin forcat ruse, njësia e Ruslanit mësoi se njësia e 72-të e artilerisë kishte nevojë që të shënjestroheshin forcat ruse.
Edhe pse njësia e Ruslanit nuk kishte asnjë trajnim për të operuar dronët, ai dhe bashkëluftëtarët e tij vendosën të merrnin përsipër këtë detyrë.
“Një prej ushtarëve në ekipin tonë kishte një dron”, kujton ai. “Ne kishim vetëm tetë ushtarë: njëri e fluturonte dronin, të tjerët e ruanim atë”.
Shtatë muaj më vonë, Ruslan është në rotacion nga fronti për të përmirësuar aftësitë e tij dhe po mëson për operimin e dronëve në shkollën e dronëve Kruk në Kiev, si pjesë e përpjekjeve të ushtrisë ukrainase dhe organizatave joqeveritare për të trajnuar mijëra persona për të operuar me dronët gjatë misioneve të rëndësishme ushtarako-zbuluese.
I ulur në një stol së bashku me ushtarë të tjerë pas ndjekjes së ligjëratave, Ruslan shprehu vendosmërinë e tij për të mësuar më shumë: “Ne asnjëherë nuk kemi pasur kohë për të parë pjesën e kontrollit” të dronëve në vijën e frontit, tha ai.
“Problemi më i rëndësishëm”
Përderisa në mediat sociale ukrainase vazhdimisht shfaqen fushata për mbledhjen e parave për blerjen e dronëve për ushtrinë, “problemi më i rëndësishëm për ne është mungesa e pilotëve”, tha Maks, një instruktor 45-vjeçar në Dronarium, një tjetër shkollë në Kiev ku personeli ushtarak mëson për përdorimin e dronëve.
Edhe Maks kërkoi që mbiemri të mos i publikohej për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
“Ka një problem të madh me operatorëve e dronëve në Ukrainë”, tha Anton Frolov, kryeinstruktor në shkollën e dronëve në Kruk.
“Ne nuk kemi mjaftueshëm pilotë me përvojë”.
Nevoja për operatorë të tillë është e madhe për shkak të rolit të rëndësishëm që këto pajisje mund të luajnë në zbulimin e pozicioneve të armikut dhe të pikave të tij të dobëta.
“Nëse e fitojmë qiellin, ne e fitojmë luftën”, tha Frolov.
Edhe pse janë më pak të avancuar, dronët komercialë që janë në dispozicion “janë asete kyçe” sipas Samuel Bendett, analist në Qendrën për Analiza Detare me seli në Shtetet e Bashkuara.
Lufta e dronëve
Në luftën në shkallë të gjerë e Rusisë me Ukrainën – që tani ka hyrë në muajin e tetë – janë shfaqur dronë që përdoren për shumë role. Të dyja palët kanë dislokuar dronë ushtarakë të avancuar, të aftë për të fluturuar deri në 300 kilometra dhe për të mbledhur informacione të inteligjencës apo për të kryer sulme vdekjeprurëse.
Dronët civilë, megjithatë, përdoren më shumë, veçmas nga pala ukrainase.
Dronët komercialë – që kushtojnë shumë më pak se dronët ushtarakë – që fillimisht u ndërtuan për fotografime nga ajri, tani po përdoren për të zbuluar vendndodhjen e tankeve të armikut dhe depove të furnizimit.
Në fillim të korrikut, ushtria ukrainase në bashkëpunim me Ministrinë e Transformimit Digjital, nisi nisëm e “Ushtrisë së Dronëve”.
*Video nga arkivi: “Ushtria e Dronëve” të Ukrainës
Kjo nismë mbledh para për blerjen e dronëve ushtarakë, po ashtu udhëheq një program të donacioneve civile për dronët dhe punon me shkollat e dronëve civilë për t’iu ofruar trajnime për operimin e dronëve nga ushtria.
Një pilot i dronëve për çdo togë
Por, më të çmueshëm se dronët janë operatorët e kualifikuar të dronëve, të cilët janë të trajnuar për të shfrytëzuar sa më shumë teknologjinë.
Kur nisi lufta, shumë civilë entuziastë ngarendën që të bëheshin pilotë të dronëve. Por, këto kuadro të patrajnuara shkaktuan humbje të mëdha, tha instruktori i shkollës Dronarium, Maks.
“Ata pësuan humbje të mëdha”, tha ai. “Ata e panë fluturimin në luftë përmes prizmit të fluturimeve në kushte civile”.
Në disa raste, Rusia i identifikoi dhe i shënjestroi pozicionet e operatorëve, duke shfrytëzuar një veçori kyçe të sigurisë për t’iu ndihmuar forcave të rendit, u tha në deklaratën e ministrit të Transformimit Digjital, Mykhailo Federov.
Nevoja shumë e madhe për operatorë të kualifikuar po nxit ambiciet e Ukrainës për të arritur qëllimet sa i përket operatorëve të trajnuar.
“Ne planifikojmë të trajnojmë rreth 2.000 operatorë në dy apo tre muajt e ardhshëm”, tha Fedorov në gusht për Forbes Ukraine.
Shkollat e dronëve Kruk dhe Dronarium kanë pranuar donacione për të vazhduar operacionet e tyre, por edhe kanë pranuar ndihmë financiare nga Ministria e Transformimit Digjital.
Shkolla për operimin e dronëve, Kruk, që nga prilli ka trajnuar 400 operatorë, tha për Radion Evropa e Lirë instruktori i kësaj shkolle, Frolov. Ndërkaq, shkolla Dronarium ka trajnuar 871 operatorë që nga nisja e luftës, sipas informacioneve të postuara në ueb-faqen e kësaj shkolle.
Oleksandr, shef i trajnuesve në Dronarium, tha se shkolla aktualisht po trajnon rreth 400 operatorë në muaj, në tri qendra në Ukrainë.
Ai tha se dëshiron që çdo togë të ketë një operator të dronëve. Duke pasur parasysh se madhësia e ushtrisë së Ukrainës në kohë lufte është prej 700.000 trupash, arritja e këtij objektivi nënkupton se duhet të trajnohen mijëra operatorë.
Pesë minuta
Në qendrën për trajnime në Kiev të shkollës Kruk, instruktori 25-vjeçar, Ilya Trokhin, po trajnonte një grup studentësh në një mëngjes të ftohtë shtatori.
“Largoje kokën që aty”, u dëgjua duke i bërtitur Trokhin një studenti, që po ushtronte nisjen e një droni nga pëllëmba e dorës së tij.
Disa minuta më vonë, një student tjetër preu gishtin në helikat e dronit.
Trokhin, që ka mësuar operimin e dronëve para nisjes së luftës pasi ai xhironte miqtë e tij duke skijuar, tha se një tregues i fuqishëm sesa mirë një student do të performojë në kursin pesëditor, është niveli i interesimit që shfaq.
“Është shumë e rëndësishme që vetë kadeti të dëshirojë të mësojë”, tha ai për REL-in, teksa disa studentë po praktikonin se si të nisnin dhe ulnin një dron.
Instruktorët në Kruk dhe Dronarium thanë se është shumë e rëndësishme që studentët të mësojnë se si të shmangin zbulimin teksa janë duke operuar me dronë. Në shkollën Dronarium, studentët mësojnë se si të përdorin tendat e kamuflazhit për të fshehur pozicionet e tyre.
Operatorët po ashtu mësojnë se si të reagojnë nëse njësitë ruse marrin kontrollin e dronëve të tyre. Oleksandr nga Dronariumi tha se kjo varet krejt nga situata: një operator i dronëve mund të vazhdojë të fluturojë pajisjen për aq kohë sa e ka kontrollin e lëvizjeve të tij, edhe nëse humb kontrollin e disa prej funksioneve të tjera.
Shkolla Kruk po ashtu ofron trajnime për operacione të bombardimeve për ata studentë që janë të interesuar. Ata trajnohen për lëshim të bombave të vogla që kanë peshë të njëjtë me ato që përdoren gjatë luftimeve.
Rrëfimet e instruktorëve reflektojnë natyrën ad-hok të nxitimit të Ukrainës për të trajnuar numër sa më të lartë të operatorëve të dronëve.
Një instruktor 28-vjeçar në Dronarium, më herët kishte shërbyer si asistent i operatorit të dronëve afër Harkivit, edhe pse nuk kishte pasur asnjë eksperiencë praktike të fluturimit të dronëve. Kur operatori i dronëve u largua nga batalioni, ai u promovua në postin e operatorit, duke mësuar aty për aty punën.
Shkolla Dronarium ofron trajnime vetëm për dronët komercialë. Oleksandr tha se manuali 30T është veçanërisht i dobishëm, pasi modelet e dronëve që kushtojnë 10.000 dollarë zakonisht shiten për përdorime në sektorët e bujqësisë dhe industrisë sesa për zbulimin e ushtarëve rusë.
Dronët nuk përdoren menjëherë sapo të nxirren nga kutia. Pa dhënë specifika, Oleksandr tha se modifikimet bëhen për të mbrojtur dronët nga detektimi i forcave ruse.
Një ushtar ukrainas, i njohur me nofkën Akela, konfirmoi se sistemet ruse kundër dronëve janë shumë aktive në frontin e luftës. Sipas Frolovit, jetëgjatësia e një droni civil në fushëbetejë është rreth pesë minuta, për shkak të pajisjeve ushtarake elektronike të Rusisë.
Përpjekja e Ukrainës për të trajnuar më shumë operatorë të dronëve është një garë me Rusinë, e cila po ashtu po trajnon ushtarët për përdorimin e dronëve komercialë.
Më herët gjatë këtij muaji, civilët rusë – së bashku me operatorët e “vijave të frontit në zonat e pushtuara nga Rusia në lindje të Ukrainës – mbajtën një garë për dronët dhe një seri ligjëratash në qytetin perëndimor rus të Novgorodit, në mënyrë që të ndanin njohuritë në mesin e operatorëve të dronëve ushtarakë.
Një kanal në mediat sociale, që ishte i lidhur me këtë ngjarje ruse, postoi përfundimet kyçe të këtij ngjarje, duke theksuar se “ka një deficit të madh të operatorëve të kualifikuar të dronëve, por edhe një deficit edhe më të madh të instruktorëve të mirë”.
Pjesëmarrësit në këtë kurs, sipas organizatorëve, thanë se komanda e ushtrisë ruse ka mbyllur veshët sa i përket nevojës për më shumë dronë.
Ukraina, ndërkaq, po përshpejton fushatën e trajnimit të operatorëve dhe të blerjes së dronëve shtesë.
“Ata nuk na lanë asnjë zgjidhje tjetër”, tha Fedorov për REL-in. Duke bërë me dorë drejt një karrigeje që gjendej pranë tij, ai shtoi: “Nëse kjo karrige do të mund të fluturonte, ne do ta përdornim atë në luftime”./REL/