Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeku, kanë vizituar sot monumentet e trashëgimisë kulturore në Pejë, Deçan e Gjakovë.
Ministri Çeku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se gjatë 18 muajve të fundit, dhjetëra monumente janë shpëtuar nga shkatërrimi.
“Kujdesi ndaj historisë sonë dhe shfrytëzimi i potencialit socio-ekonomik janë arsyet themelore të investimeve në këto asete. Qeveria e Kosovës ka plan ambicioz për trashëgiminë kulturore. Gjatë 18 muajve të qeverisjes, dhjetëra monumente janë shpëtuar nga shkatërrimi dhe shumë prej tyre po rifunksionalizohen përmes ndërhyrjeve emergjente dhe atyre restauruese”, ka shkruar Çeku.
Tutje Çeku tha se Kulla e Sheremetit në Pejë, Kulla e Tahirsylajve në Isniq të Deçanit, Muzeu etnografik e Hani i Haraqisë në Gjakovë janë disa nga asetet ku punimet janë në fazën përfundimtare.