Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it, Jeton Mehmeti ka konfirmuar se Kosova ka tregtuar energji elektrike me kompaninë GEN, e cila vepron me zyrë edhe në Beograd, shkruan Kosova Press.
Gjatë intervistimit në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, Mehmeti ka përmendur emrat e kompanive që Kosova ka tregtuar energji elektrike në periudhën e fundit. Mehmeti tha se emrat e tregtarëve janë: GEN, Tirana shpk dhe KESh.
Megjithatë edhe pas insistimit të deputetit Ferat Shala për shtetet që tregton Kosova rrymë, Mehmeti nuk pranoi të përmend emrat e shteteve. Kujtojmë se kompania GEN me zyrë në Beograd, së cilës i plasi një skandal në Slloveni, ku dyshohet se përfshihet edhe ambasadori kosovar, Martin Berishaj.
Kryesuesi Bordit të KOSTT, Mehmeti gjatë intervistimit ka folur edhe për devijimet në sistemin energjetik dhe për humbjet në sistem./KP/