Ndeshja mes Ballkanit dhe Sivassporit po afron, që është e vlefshme për xhiron e katërt të fazës së grupeve të Ligës së Konferencës.
Të dy skuadrat kanë nga katër pikë deri më tani, ndërsa Ballkani arriti ta mposht skuadrën turke në Turqi para një jave me rezultat 4-3.
Kjo fitore e Ballkanit ka bërë bujë edhe në Turqi, ndërsa tani ekspertët turq të futbollit, kanë fituar respekt për kampionin tonë.
Në emisionin ‘Derin Futbol’, njëri nga më të njohurit në Turqi, ishin në panel katër njohës të futbollit, ku secili dha mendimin e tij për ndeshjen e së enjtes.
Dy ish-futbollistët e njohur Sinan Engin dhe Abdulkerim Durmaz, janë të bindur që Ballkani e fiton ndeshjen.
Ndërsa ish gjyqtari i njohur turk, Ahmet Çakar dhe gazetari Rasim Ozan Kutahyalı, thanë që kjo ndeshje ndahet në barazim.
Nga katër të ftuarit të gjithë ishin të bindur që Ballkani merr pikë nga kjo përballje.
Ndeshja mes Ballkanit dhe Sivassporit do të zhvillohet të enjten nga ora 21:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.