Rrjeti i Organizatave Joqeveritare, AVONET, e ka quajtur skandaloz, joprofesional dhe të njëanshëm vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt.
Gjykata ka marrë vendim që Shaban Gogaj të dënohet me 7 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e Tetajt.
AVONET thotë se ka ndjekur me shqetësim mënyrën se si është zhvilluar çështja penale në rastin e të akuzuarit Gogaj.
“Ricilësimi i këtij rasti nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia paraqet gjithçka tjetër, vetëm drejtësi jo. Duke pasur parasysh pamjet e publikuara të ditës kritike të vrasjes, shihet se si dorasi me gjakftohtësi merr në shënjestër dhe vret tashmë të ndjerin Tetaj, andaj, AVONET këtë proces e konsideron skandaloz, joprofesional dhe të padrejtë”, thuhet në reagimin e tyre.
“Për më tepër, zvarritja e këtij rasti, duke mos u zhvilluar asnjë seancë për një vit krijon pasiguri juridike për qytetarët e këtij vendi”.
Andaj, AVONET kërkon nga Gjykata e Apelit që ky rast të kthehet në rigjykim, për arsye se “ky vendim nga Gjykata Themelore në Pejë është i padrejtë, jo profesional dhe i njëanshëm”.
Po ashtu, kërkojnë që lënda të delegohet në ndonjë gjykatë tjetër, sepse sipas AVONET rigjykimi në gjykatën e njëjtë dyshojnë se nuk do të sjell vendosje meritore.
“AVONET konsideron se rastet e tilla duhet të merren dhe trajtohen më me seriozitet sepse assesi këto raste nuk mund të shndërrohen në shembuj që te qytetarët të krijohet mungesa e besimit në organet e drejtësisë”.
Ndryshe, vendimin e Gjykatës së Pejës e ka kundërshtuar edhe Prokuroria Themelore në Gjilan.
Përmes një komunikate, kjo prokurori ka njoftuar se do të ushtrojë ankesë duke mos u pajtuar me cilësimin juridik të veprës penale “Vrasje nga pakujdesia”.
Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të padrejtë dhe skandaloz vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë ndaj Shaban Gogajt.
Postimi: