Donjeta Sadiku është e gatshme për duelin ndaj kampiones olimpike në Evropianin e boksit, që po mbahet në Budva të Malit të Zi. Ajo në fund të meçit çerekfinal pësoi lëndim në këmbë, ndërsa të enjten ka stërvitur para meçit gjysmëfinal që do ta zhvillojë të premten.
Boksierja Sadiku të mërkurën ia ka siguruar Kosovës medaljen evropiane. Sadiku, që garon në kategorinë deri 60 kilogramë, mposhti boksieren nga Rumania, An Loredana Marin, ndërsa të premten do të përballet me kampionen olimpike, irlandezen Kellie Harrington.
Harrington fitoi të artën në Olimpiadën e Tokios, ndërsa ka edhe suksese të tjera të mëdha në skenën botërore dhe evropiane. Dueli mes Sadikut dhe Harrintonit do të zhvillohet të premten pasdite. Meçi në mes këtyre dy boksiereve është i gjashti në programin e pasdite.
Sadiku tashmë ka siguruar të bronztën, që për boksierët nga Kosova është e para nga Evropianët pas gati katër dekadash. Medaljen e fundit e kishte fituar Sami Buzolli në vitin 1983 në Varna të Bullgarisë. Buzolli kishte përfaqësuar Jugosllavinë.
“Kam biseduar me Donjetën dhe më tha se këmbën e ka mirë. Ajo ka qenë në rikuperim. Për Donjetën është përkujdesur një fizioterapeut nga Bullgaria. Donjeta do të jetë gati për duelin gjysmëfinal. Do të jetë përballja më e vështirë për të, pasi përballë do ta ketë kampionen olimpike. Por, ajo është në formë të mirë dhe urojmë ta kemi në finale të Evropianit. Ajo tashmë ka arritur sukses historik për Kosovën. Është në mesin e katër boksiereve më të mira të Evropës”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, për KOHËN.
Boksierja më e mirë në Kosovë, në maj të këtij viti, fitoi medaljen e bronztë në Botërorin që u mbajt në Turqi. Ishte e para për Kosovën nga ngjarjet e mëdha të boksit që nga pavarësimi i sportit.
Donjeta për të rejat i fitoi tri medalje. Në vitin 2015 kishte fituar medalje të argjendtë në Botërorin për të rejat, ndërsa në Evropian të artën në vitin 2016 dhe të argjendtën në vitin 2017.