Ftesa e Kurtit për takim me liderët opozitarë, pozitivisht i përgjigjet vetëm AAK-ja

Ftesa e Kurtit për takim me liderët opozitarë, pozitivisht i përgjigjet vetëm AAK-ja

Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot pret në takim liderët e partive politike opozitare në vend, ndërsa takimit pozitivisht i është përgjigjur vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ftesa e Kurtit për takim me partitë opozitare që është paraparë të mbahet sot në orën 12:00 vjen pas intensifikimit të takimeve me ndërkombëtarët lidhur me procesin e dialogut.

Javën e kaluar për vizitë në vend ishte i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ndërkaq gjatë kësaj jave ishte edhe i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka pranuar ftesën e kryeministrit, Albin Kurti për t’u takuar të premten. Lajmi është konfirmuar për Gazetën Enigma nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Kurti në takim ka ftuar edhe liderët tjerë opozitarë.

Por nga Partia Demokratike e Kosovës dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri Kurti.

Nëpërmjet një video të publikuar në faqen e tij në Facebook, i pari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se ftesa e kryeministrit Albin Kurti është joserioze, pa përmbajtje, pa agjendë dhe pa protokoll.

“Vetëm pasi kërkuam sqarime, kuptuam me një fjali përmes emailit se bëhej fjalë për një temë shumë serioze – siç është Dialogu Kosovë-Serbi. Pa asnjë detaj konkret e pa specifikuar asgjë. Po jua rikujtoj që s’keni asnjë arsye që të na ftoni në takime për çështje teknike”.

“Ndërsa, kur të ketë diskutim konkret për marrëveshjen finale, ne do të jemi aty. Ka ditë që në opinion flitet për një dokument që ju e keni në tavolinë rreth marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ofruar nga partnerët ndërkombëtar të Kosovës”, tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së tha se kryeministri Kurti po e fsheh prej qytetarëve dhe institucioneve këtë dokument dhe po ashtu po e fshehë pozicionin në këtë çështje të rëndësishme për të ardhmen e Republikës së Kosovës.

“Është shqetësuese mungesa e vazhdueshme e transparencës prej jush dhe qasja joserioze që mbani për një temë kaq serioze. Siç e kam deklaruar edhe në shumë raste të tjera, Partia Demokratike e Kosovës do ta mbështesë një marrëveshje finale qe ka si bazë njohjen e ndërsjellë dhe ruajtjen e rendit kushtetues të vendit tonë”, tha Krasniqi.

Ai tha se PDK asnjëherë nuk ka ikur nga përgjegjësia shtetërore dhe këtë nuk do ta bëjë kurrë.

“Por, për tema të tilla, për vendime të mëdha, ju së pari duhet të bëheni serioz dhe ta kuptoni se vendi i diskutimit nuk është një zyrë, por është salla e Kuvendit të Kosovës, sepse Kuvendi i Kosovës është adresa e popullit. Prandaj, diskutimet që i keni menduar për të premten në zyrën tuaj, ju ftoj që t’i bartni në Kuvend”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar se LDK nuk do shkojë në takimin e thirrur nga Kurti. 

Related Articles