Albi Mall Superliga vazhdon sot me ndeshjet e xhiros së 12-të.
Në program për tu luajtur sot janë tre takime, ku secili është më interesant se tjetri.
Padyshim që vëmendja e adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në Klinë, ku kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani do të përballet me Dukagjinin.
Vendasit vijnë në këtë takim pas humbjes nga Drita një javë më parë dhe kërkojnë këndelljen, derisa suharekasit synojnë të vazhdojnë me rezultate pozitive ku nuk dinë për humbje që nga 11 shtatori.
Duel tejet interesant pritet të zhvillohet edhe në stadiumin ‘Riza Lushta’ në Mitrovicë mes Trepçës ’89 dhe Gjilanit.
‘Minatorët’ nuk kanë fituar në tre sfidat e fundit dhe kërkojnë të rikthehen te fitorja, në anën tjetër Gjilani pas humbjes befasuese që pësoi nga Drenica synon të kthehet me pikë nga ky udhëtim.
Sfidë tejet e nxehtë pritet të jetë edhe në stadiumin ‘Bajram Aliu’ në Skenderaj mes Drenicës dhe Malishevës.
Të dyja skuadrat në këtë sfidë vijnë pas fitoreve të mëdha që morën në udhëtim te Gjilani respektivisht Ferizaj dhe kërkojnë vazhdimësinë e rezultateve të mira.