Numri i të vaksinuarve në Kosovë shkon në mbi 40 mijë

Numri i të vaksinuarve në Kosovë shkon në mbi 40 mijë

Më shumë se 40,000 qytetarë të Kosovës janë vaksinuar deri më tani me vaksinën anti-COVID, raporton Gazeta “Enigma”.


Koordinatori i qendrës së vaksinimit “1 Tetori”, Niman Bardhi, ka bërë të ditur se vetëm deri në mesditë të ditës së diele, në Prishtinë janë vaksinuar 146 persona të grup-moshës mbi 65 vjeç ndërkaq në tërë Kosovën, janë vaksinuar, mbi 1260 persona të kësaj grup-moshe.

“Edhe sot jemi duke vazhduar me procesin e vaksinimit për të moshuarit që tashmë kanë aplikuar në platformën E-Kosova dhe njëkohësisht të gjithë këta janë të telefonuar përmes qendrës operative. Siç po e shihni me radhë sipas minutazhës së ndarë këta vijnë dhe marrin vaksinën. Aktualisht deri në këto çaste në sallën 1 tetori janë vaksinuar 146 persona ndërsa nëse flasim në nivel vendi sot deri në këto çaste janë vaksinuar mbi 1260 persona. Ndërsa nëse i referohemi nga dita e parë e vaksinimit që kemi filluar më 29 mars dhe deri më tani, kemi kaluar shifrën e 40 mijë të vaksinuar në nivel vendi”, ka thënë Bardhi.

Ai ka bërë të ditur se edhe 460 persona janë të telefonuar nga Ministria e Shëndetësisë, e të cilët duhet të shkojnë të vaksinohen gjatë ditës së sotme në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Të premten që shkoi, në hyrje të qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori” u patën krijuar tollovi të mëdha të personave mbi moshën 65 vjeç të cilët kishin shkuar aty për vaksinim kundër COVID-19.

Kjo pati shkaktuar reagime të shumta si nga partitë opozitare e po ashtu nga Organizatat e Shoqërisë Civile të cilat e fajësuan Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë për mosorganizim të duhur të procesit të vaksinimit.

Për këtë arsye, MSH-ja ka vendosur që nga e shtuna, nuk do të vaksinohet askush që nuk ka aplikuar paraprakisht në platformën e-Kosova dhe që nuk është ftuar nga MSH-ja pas aplikimit.

Qytetarët e Kosovës deri më tani janë vaksinuar me vetëm dy lloje të vaksinave: AstraZeneca dhe Pfizer.

Related Articles