Pas suspendimit të tij me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, drejtori rajonal i Policisë së Kosovës për Veriun e Mitrovicës, Nenad Gjuriq, ka njoftuar sot se do të largohet nga Policia e Kosovës.
Siç raportojnë mediat serbe, vendimin e tij ai e bëri publik sot në në një konferencë për media, të mbajtur bashkë me kreun e Listës Serbe, Goran Rakiq.
“Nuk dua të jem pjesë e gënjeshtrave, nga sot nuk dëshiroj të jem pjesë e Policisë së Kosovës për shkak se dua të dal ballëhapur me fytyrë të pastër para gjyqit të zotit”, tha Gjuriq.
Ndërsa, Rakiq paralajmëroi nisjen e protestave për të shtunë, të cilat tha se do të jenë paqësore.
“Ajo çka mund të them shtesë është që pasnesër në ora 12 do të kemi protestën e parë dhe nuk do të ndalemi, nuk do të pajtohemi, do të jemi politikisht të qetë si popull, do të kemi rezistencë demokratike dhe jo të dhunshme”, tha Rakiq, transmeton Telegrafi.
Gjithashtu nesër është paralajmëruar edhe një takim urgjent mes Listës Serbe si dhe zyrtarëve serbë, të cilët janë pjesë e institucioneve të Kosovës, për të marrë një vendim në lidhje me qëndrimin apo largimin e tyre nga të gjitha postet që kanë.
“Nesër do të marrim vendimin tonë dhe masat në konsultim me të gjithë kryetarët e institucioneve që udhëheqin institucionet me theks të veçantë në veri”, shtoi Rakiq.
Ai tha se rasti i suspendimi i Nenad Gjuriqit, pasi dyshohet se ka sabotuar dhe ka bërë thirrje për rezistencë për lëshimin e fletë qortimeve, ka qenë pika e cila sipas tij “ka mbushur kupën” dhe ka “prishur marrëveshjen e Brukselit”.
Ndryshe, suspendimi i Gjuriqit është bërë pas rekomandimit nga Inspektorati Policor i Kosovës.
I njëjti dyshohet se kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë”, të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, Gjuriq ka deklaruar të mërkurën se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.