Aktivistes së Lëvizjes Vetëvendosje, Shkurtë Aliu, e cila u emërua anëtare e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, i ishin dashur 15 vjet për të diplomuar në Fakultetin e Arteve në UP. Këtë e ka konfirmuar edhe profesori i saj, regjisori Agim Selimi.
Shkurtë Aliu ka shumë vite që angazhohet politikisht në Lëvizjen Vetëvendosje. Tani që partia e Albin Kurtit e mori pushtetin e plotë, ajo ka arritur të ngjitet shpejt në hierarkinë drejtuese të institucionit më të lartë teatror në vend. Më 30 maj, pak para mesnatës, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, e futi atë në Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës ai anëtare.
Politikisht, Aliu nuk kishte mundur të bëhej deputete kur pati garuar për një mandat në Kuvend në zgjedhjet e vitit 2017. Profesionalisht, ajo kishte synuar që të arrinte në një pozitë drejtuese një vit pas atyre zgjedhjeve, por kishte dështuar të bëhej drejtoreshë e Teatrit “Dodona” në kryeqytet.
Aktivistja e LVV-së ka diplomuar dhe e ka marrë titullin “Bachelor i Regjisë së Teatrit” vetëm në verën e vitit 2016, siç dëshmohet në procedurat e konkursit për drejtor të Teatrit “Dodona” në vitin 2018.
Profesori i saj, regjisori Agim Selimi, ia ka konfirmuar se Aliu ishte regjistruar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës pak pasi kishte përfunduar lufta në Kosovë. Selimi thotë se po atë vit, në drejtimin Regji Teatri ishte regjistruar edhe Ben Apolloni, që gjithashtu është emëruar anëtar i Këshillit Drejtues të TKK-së.
“Po, 2000-2001. Bashkë ka qenë me këtë Ben Apollonin. Kanë qenë me një klasë bashkë. E vërtetë është”, pohoi Selimi.
Ai tha se Aliu ka pasur ngecje në studime, ndërsa e cilësoi studente mesatare, e cila nuk kishte dëshmuar ndonjë cilësi të veçantë.
“Diplomimin saktë nuk e di, por ka mundësi. E di që ka pasë ngecje. Por regjistrimin e di saktë. Ka qenë në klasën time, pastaj ka kaluar te Bekim Lumi dhe pastaj ka pasur një ngecje. Për diplomimin s’e di saktë, por përafërsisht aty diku duhet të jetë. Ka qenë studente mesatare. Ka qenë në një nivel me këtë Ben Apollonin. Tre veta kanë qenë në klasë. Mesatare ka qenë. Nuk ka pasur ndonjë… me thënë diçka të veçantë, por mesatare”, tha Selimi.
Për notat e Aliut, profesori Selimi tha se ka të dhëna, por shtoi se “nuk do të kisha hy në çështje private”, sepse, siç shtoi ai, “megjithatë të gjithë janë studentë për ne, pavarësisht përcaktimeve”.
Lëvdatat e Hajrulla Çekut për Shkurtë Aliun si arsyetim për emërimin
Të mërkurën, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, e shkroi një postim të gjatë në Facebook, jo vetëm për ta arsyetuar emërimin e Aliut si anëtare në Këshillin Drejtues të Teatrit. Ai e lavdëroi bashkëpartiaken e tij, duke theksuar se ligji i jep atij të drejtën që ta vë kë të dojë në këtë Këshill.
“Në atë detyrë e kam emëruar një profesioniste, jo një militante të padijshme. E kam emëruar një regjisore teatri, jo një që nuk e di as ku ka konkuruar, kam emëruar Shkurten e teatrit, jo Shkurten e Vetëvendosjes”, ka shkruar Çeku.
Ministri, i cili gjatë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 14 shkurtit zotohej se do t’i departizonte institucionet kulturore, tha se “partizimi në emërime ndodh atëherë kur kriter kryesor për marrjen e detyrës është anëtarësia partiake”.
“Shkurta është profesioniste, punëtore e madhe, njeri me integritet, e pakorruptueshme. Ka dhënë shumë për teatrin, nuk ka marr asgjë. Ka ende për t’i dhënë jetës teatrore në Kosovë”, ka shkruar Çeku. “Kam besim të plotë në profesionalizmin dhe integritetin e saj, prandaj edhe e kam emëruar në atë detyrë”, ka shtuar ai.
Në institucionin më të lartë teatror në vend, ministri Çeku s’e ka lënë asnjërin nga anëtarët e përbërjes paraprake të Këshillit, mandati i të cilëve zgjati vetëm pak muaj. Anëtarët paraprakë, Besim Rexhaj, Mustafë Halili, Munish Hyseni, Agron Gërguri, Ismet Azemi dhe Feim Maliqaj, bashkë me ish-kryetarin e Këshillit Drejtues të TKK-së, Agron Shalën, për shkarkimin e 30 majit para mesnatës thanë se ishin informuar vetëm përmes mediave.
Anëtarë të tjerë të Këshillit Drejtues të TKK-së u emëruan Armend Smajli, Ben Apolloni, Gresa Pallaska, Rebeka Qena, Visare Aliu dhe Brikena Mulliqi. Express shkruan se ka provuar që ta marrë një koment edhe nga Shkurtë Aliu, por ajo ka qenë e paqasshme, raporton gazetaexpres.