Përfaqësuesi i Lartë për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në Bashkimin Evropian, Jossepp Borrell ka njoftuar se sonte janë dërguar forca shtesë në Kosovë për të garantuar sundim të ligjit.
Përmes Twitter-it, ai ka bërë të ditur se në Kosovë kanë zbarkuar forca shtesë të Forcës së Xhandarmërisë së Evropës, pjesë e karabinierëve italianë.
Sipas Borrell, ata do ta mbështesin përkohësisht EULEX-in.
“Në këto kohëra të tensionuara në Kosovë, misioni i BE-së në Kosovë për sundim të ligjit EULEX përmbush detyrën që ka për të garantuar stabilitet: Forca e Xhandarmërisë Evropiane e Karabinierëve zbarkoi sonte që përkohësisht ta përforcojë Njësinë Policore të EULEX-it në Kosovë. EULEX do të vazhdojë që ta mbështesë një ambient të sigurt”, ka shkruar Borrell.
Disa orë më herët, edhe zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, gjatë një konferencë për media, tërhoqi vërejtjen për një eskalim i mundshëm, pas bojkotit të institucioneve të Kosovës nga serbët.
Zëdhënësi amerikan ka potencuar se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit janë shqetësuese dhe vënë në rrezik progresin e rëndësishëm të arritur deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”.