Ka qytetarë që janë të pakënaqur me çmimet e prezantuara të parkingut nëntokësor i cili ndodhet në Qendër të Prishtinës.
Komuna me anë të një komunikate ka theksuar se nuk është pronare e këtij parkingu.
Ekzekutivi lokal tha se ky parking është i ndërtuar në bazë të partneritetit publiko-privat dhe se përcaktimi i tarifave të parkimit është bërë në bazë të çmimit të tregut.
“Kemi marrë një numër të lartë pyetjesh dhe ankesash lidhur me tarifat e Parkingut Nëntokësor tek Fakulteti Filologjik në Prishtinë.Ju njoftojmë se Parkingu Nëntokësor, është i pari i natyrës së Partneritetit Publiko-Privat (PPP), me teknologji të avancuar dhe standarde të larta urbane. Ky parking, me rreth 600 vendparkingje, synon të reduktojë dukshëm qarkullimin e veturave në qendër të qytetit, përfshirë edhe lirimin e trotuareve për këmbësorë”, thuhet në reagimin e komunës së Prishtinës përcjell Klankosova.tv
“Duam t’ju rikujtojmë, se në parkingjet të cilat janë pronë e NP “Prishtina Parking”, rrjedhimisht Komunës së Prishtinës, çmimet për parking janë shumë më të lira. Mirëpo, në rastin e Parkingut Nëntokësor, kemi të bëjmë me Partneritet Publiko-Privat, ku Komuna nuk është pronare e plotë e parkingut. Si rrjedhojë, përcaktimi i tarifave të parkimit është bërë në bazë të çmimit të tregut dhe duke marrë parasysh investimet e larta të koncesionarit në ofrimin e sigurisë së lartë dhe kushteve shumë më të favorshme krahasuar me parkingjet tjera me këto çmime. Po ashtu, çmimi i vendosur, përfshin edhe kostot e parapara për mirëmbajtjen dhe ofrimin e shërbimit, të cilat janë mjaft të larta”.
Tutje, Komuna e Prishtinës inkuarajon ecjen në këmbë dhe përdorimin e transportit publik për të mirën e ambientit dhe gjithë qytetarëve të Prishtinës.
“Gjithsesi, qëllimi i këtij parkingu është të shërbejë si stacion i përkohshëm parkimi për vizitorët e Zonës 1 – “Qendra”, dhe Komuna e Prishtinës vazhdon të inkurajojë ecjen në këmbë dhe përdorimin e transportit publik për të mirën e ambientit dhe gjithë qytetarëve të Prishtinës”.