Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se edhe Kosova edhe Serbia duhet urgjentisht të gjejnë një rrugë për të qetësuar tensionet e krijuara.
Veç kësaj ai gjatë adresimit të tij, kërkoi se të dyja palët duhet t’i kryejnë obligimet e tyre ligjore.
Tutje ai ka bërë thirrje që të dyja palët t’i kthehen pa alternativë dialogut, dhe të gjendet një zgjidhje para datës 21 nëntor.
Borrell në konferencë për media pas takimit të Këshillit të ministrave të jashtëm BE-së, ka thënë se situata në Kosovë është më e rrezikshmja që nga viti 2013.
“Duhet të ulen tensionet që po arrijnë në nivele të rrezikshme. Mund të themi se jemi duke u përballur me krizën më serioze e të rrezikshme që nga viti 2013, pra në dhjetë vjetët e fundit. Të dyja palët duhet të tregojnë urgjentisht gatishmëri për të ecur para e t’i ulin tensionet. Nuk është e pranueshme nga asnjëra palë që të injorojë apo shkellë marrëveshjet e arritura në dialog”, tha Borrell.
Ai ka treguar se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, do të jetë në Bruksel sonte për të biseduar për çështjen e targave e çështjet tjera. E po ashtu pritet të ketë bisedime edhe me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq.
“Do të nisim takime me kryenegociatorët. Pala kosovare po vjen sonte, jam i gatshëm të bisedojë me liderët, nëse negociatorët arrijnë te një zgjidhje praktike te çështja e targave dhe atë para 21 nëntorit, që është afati i fundit. Nuk mund të arrijmë këtë datë, pasi do të jemi në situatë të rrezikshme. E dini se tërheqja e serbëve në veri nga Policia, gjyqësori, ka krijuar një vakum. Në këtë vakum më e keqja mund të ndodh. Mesazhi nga Këshilli është i qartë, dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet, na duhet progres i qartë. Kemi prezantuar një propozim. Falënderojmë Gjermaninë e Francën që kanë përkrahur këtë propozim. Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione të Kosovës, autoritetet e Kosovës të tregojnë fleksibilitet për targat, e të punojnë në implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa vonesa”, ka thënë Borrell.
Ai ka thënë se Kosova e Serbia janë në udhëkryq.