Bashkimi Evropian ka ripërsëritur sërish që Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë një zgjidhje për situatën aktuale.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka deklaruar se situata aktuale në veri të Kosovës është më e rënda që nga viti 2013, derisa ka shtuar se janë të gatshëm të presin në një takim në Bruksel, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq.
“Mendoj se BE-ja dje ka qenë shumë e qartë pas takimit të Këshillit të Ministrave, ne presim të ketë progres në dialog dhe de-përshkëllzim të situatës… Ne jemi të gatshëm ti mirëpresim të dy, kryeministrin Albin Kurti presidentin Aleksandar Vuçiq në Bruksel për një takim të nivelit të lartë sa më shpejtë që ata do të jenë të gatshëm të tregojnë një sjellje evropiane në gjetjen e një zgjidhje evropiane për problemet mes tyre”, tha Stano.
Ai shtoi se nuk duhet të jetë BE-ja më e interesuar për të gjetur zgjidhje për situatën aktuale, por duhet të jenë palët përgjegjëse.
“Ne po përpiqemi të ju ndihmojmë atyre që të gjejnë një zgjidhje dhe nuk duhet të jetë BE-ja më e interesuara për të gjetur zgjidhje, por të dyja palët e përfshira kanë përgjegjësi që të gjejnë zgjidhje për situatën aktuale”, tha Stano.
Kujtojmë se kryenegociatori i Kosovës në bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi ndodhet sot në Bruksel, ku do të takohet me emisarin Miroslav Lajçak.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano i pyetur se a ndodhet në Bruksel edhe kryenegociatori i Serbisë për dialogun, Petar Petkoviq tha se “Nëse doni të dini për oraret e negociatorit serb, mbase është më mirë të pyesni palën serbe”.