Në Kosovë janë sekuestruar 400 kilogramë kokainë me vlerë prej 20 milionë eurove. Sipas Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi droga kishte ardhur nga Brazili.
Ndërsa nga aksioni i Prokurorisë së Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të Shqipërisë, si dhe me shtetin italian, janë arrestuar shtatë kosovarë.
Lumezi ka thënë në konferencë për medie, se në hetimin ku rezultoi me konfiskimin e sasisë 400 kilogramë kokainë në qytetin e Lipjanit, janë përdorur mjete të fshehta hetimore, teksa ka shtuar se do të luftohet krimi i organzuar.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet italiane dhe auto amerikane, ka konfiskuar 400 kg kokainë, vlera e së cilës arrinë rreth 20 milionë euro. Poashtu, janë konfiskuar disa makina dhe mjete tjera. Gjatë hetimit janë përdorur masa të fshehta duke shikuar lëvizjen e të dyshuarve nga Italia deri në vendin tonë. Ju dërgojmë mesazh të qartë të gjitha grupeve kriminale se do të përballen me drejtësinë. Jemi të vetëdijshëm se nuk mund të luftohen nga një shtet i vetëm, ndaj kemi bashkëpunuar me shtete tjera duke e ditur se krimi mund të na prekë të gjithëve. kemi arritur të mposhtim krimin e organizuar. Më lini të falënderoj prokurorët e Shqipërisë, prokurorët Italianë, policinë shqiptare dhe policinë e Italisë”, tha ai.
Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Sabedin Mehmeti, tha se droga e konfiskuar ishte e kamufluar në pako të mishit.
“Policia në 3 maj në 2021 ka marr lajm se një dërgesë nga porti i Durrësit do të vijë në Kosovë. Me komunikimin me Itali kemi bashkëpunuar për të përcjellur këtë rast. Dërgesa ka arritur më 15 maj në Kosovë. Kjo ngarkesë është përcjellur nga Policia e Kosovës. Sot në ora 11.00, kanë filluar të dyshuarit për të tërhequr substancën, dhe kemi arritur të arrestojmë të dyshuarit. Ishte e kamufluar në pako të ndryshme të mishit. 7 persona të Kosovës janë arrestuar. Policia është në kërkim të disa personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë pjesë”, u shpreh ai.