Mos-arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për çështjen e targave, ka mobilizuar krerët e shtetit.
Kësisoj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani po e zhvillon një takim me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, mëson Paparaci nga burimet e veta.
Në takim, po ashtu i pranishëm është edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kurse kryeministri Albin Kurti, nuk ka mbërritur ende pasi po udhëton nga Brukseli.
Nga presidenca ende nuk janë deklaruar, pasi takimi vazhdon të mbahet.
Ndërkohë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të hënën tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave dhe për këtë hodhi përgjegjësinë sidomos te pala kosovare.
Borrell priti të hënën në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot”, tha Borrell, duke shtuar se një gjë e tillë lë “vakum shumë të rrezikshëm sigurie”.
“Po, ne kemi mision, EULEX-in, edhe KFOR-in po ashtu. Por, ata nuk mund të marrin sipër rolin e Policisë së Kosovës”, tha ai.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka konfirmuar për REL se në paraditen e 22 nëntorit, përkatësisht pas orës 08:00, do të fillojë shqiptimin e gjobave për qytetarët që kanë makina me ato që autoritetet në Kosovë i konsiderojnë targa ilegale serbe.
Shqiptimi i gjobës është pjesë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Faza e parë ka paraparë qortimin, e dyta parasheh gjobën dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese.
Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.