Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill ka thënë se ka pasur një bisedë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke shprehur shpresën se do të gjendet një zgjidhje për problemin e targave në Kosovë.
“Kam pasur një bisedë shumë të mirë me presidentin Vuçiq për procesin e Brukselit… Në fund, të dyja palët do të duhet të përfshihen, por një qasje konstruktive është ajo e duhura. Kam besim të plotë kur njerëz me përvojë si përfaqësuesi i lartë (BE) Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak po punojnë për këtë çështje, se mund të arrihet një zgjidhje”, citohet të ketë thënë Hill para gazetarëve, pas takimit me presidentin e Serbisë.
Ai ka bërë edhe një koment rreth vendimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka pranuar mbrëmë kërkesën e ambasadorit amerikan në Kosovë për shtyrjen e vendimit për 48 orë për gjoba ndaj pronarëve të automjeteve me targa serbe.
Shtyrja nga kryeministri Kurti kishte ardhur pas kërkesës së Ambasadës amerikane në Prishtinë.
“Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës të pezullojë për 48 orë dhënien e gjobave për të lejuar BE-në dhe SHBA-në të angazhojnë më tepër palët për gjetje të një zgjidhje”, ishte thënë në deklaratë.
Dhe lidhur me këtë, ambasadori Hill ka thënë: “Unë mendoj se BE-ja e ka bërë të qartë se nevojiten më shumë se 48 orë, se do të donin t’i shtonin kësaj edhe 363 ditë të tjera. Ne (SHBA) jemi plotësisht të sinkronizuar me Bashkimin Evropian”, ka thënë më tej ai.
Hill shtoi se nuk do t’i vlerësonte bisedimet e së hënës në Bruksel si “të dështuara” dhe se nevojiten bisedime shtesë dhe se të dyja palët duhet të jenë fleksibël për të arritur një zgjidhje.