Jahti “Perla e Zezë”, i shpallur si jahti më i bukur i vitit 2019, pronë e një miliarderi rus që vdiq nga Covid, ka mbërritur në Durrës për t’u furnizuar me naftë me çmim pa taksa.
Për anijet turistike Shqipëria e shet naftën me një çmim, të pabesueshëm, 125 lekë për litër.
Kjo nuk është anija e parë luksoze që vjen në vendin tonë për tu furnizuar me karburant pasi qeveria shqiptare ka marrë një vendim për tu a shitur karburantin mjeteve të luksit pa taksa.
Sot “Perla e Zezë”, ndërtuar për një familje të pasur ruse, do e blejë naftën me 125 leke litri.
“Perla e Zezë” do të qëndrojë deri në mbrëmje në port dhe pasi të ketë kryer shërbimet për të cilat ka mbërritur, furnizimin me naftë pa taksa dhe do të largohet për të vijuar lundrimin e saj.
I ndërtuar në vitin 2018, superjahti me vela dhe 106.7 metra i gjatë ka qenë në pronësi të miliarderit rus Oleg Burlakov, i cili vdiq nga Covidi në qershor të vitit 2021.
Jahti u shpall më i bukuri në botë në vitin 2019. Pas vdekjes se miliarderit, bashkëshortja ja kaloi jahtin një kompani jahtesh turistike qipriote./Top Channel