Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka shqyrtuar vendimin e Qeverisë për kryetar dhe anëtarë të Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Komisioni ka kërkuar dokumentacion shtesë nga Qeveria në lidhje me këtë çështje, kjo pas diskutimeve që u zhvilluan nga anëtarët që ishin prezentë.
Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar që të procedohet kjo çështje, por të dërgohet një kërkesë te Zyra e Kryeministrit për dokumentacion shtesë.
“Nuk jam që vendimi të kthehet në Qeveri po ta bëjmë një kërkesë që të na jepet dokumentacion shtesë. Propozoj që të kërkojmë nga Zyra e Kryeministrit për plotësim dokumentacioni derisa ato të procedohen në seancë të Kuvendit”.
Kryetari i Komisionit, deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha këtë çështje e definon ligji qartë dhe se është mirë që mos të miratohet diçka me vërejtje.
“Dua të shoh a kanë probleme me ligjin, konflikt interesi dhe punë tjera”, ka thënë ai.
Deputeti i AAK-së Pal Lekaj ka kërkuar që ky vendim të kthehet në Qeveri, duke kërkuar sqarime shtesë nëse ka pasur konkurs publik dhe janë ndjekur të gjitha procedurat.
“E parasheh ligji dhe ata janë të emëruar nga Qeveria” është përgjigjur Shala.
“Po e citoj ministrin, Hekuran Muratin i cili pati kërkuar që të ketë konkurs publik, dhe ka kërkuar që të kthehet prapa” ka thënë Lekaj.
“Çfarë ka ndryshuar tani”, ka pyetur Lekaj.
Kryetari Shala ka thënë që së paku dy prej kandidatëve e meritojnë të jenë pjesë e bordit, raporton EO.
“Tani janë pozitë atëherë kanë qenë në opozitë”, ka komentuar Shala.
Kurse deputetja Kusari-Lila ka kërkuar që brenda javës të plotësohet dokumentacion të verifikohet dhe pastaj të procedohet për në Kuvend.
Komisioni gjithashtu ka shqyrtuar edhe raportin vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.
Valon Prestreshi nga ky institucion tha se edhe përkundër tentimeve kanë arritur që të parandalojnë ngritjen e çmimeve të shumë produkteve gjatë pandemisë dhe se kanë filluar procedurat hetimore ndaj disa institucioneve.
“Ne kemi luajtur një rol proaktiv dhe bashkëpunues me ndërmarrje të ndryshme për të ua mundësuar punën marrë për bazë gjendjen e jashtëzakonshme që po e kalonim qysh nga fillimi i viti 2020”.
“Pasi pati një panik nga qytetarët për mungesë ushqimi ne arritëm ta parandalojmë ngritjen e çmimeve të shumë produkteve”.
“Mediat luajtën një rol ekslent për informimin e qytetarëve. Autoriteti i Konkurrencës ka trajtuar raste të ndjeshme. Ka filluar proceduara hetimore ndaj KEDS e KESCO”.
Çka parashihni nga bashkëpunimi juaj me Rregullatorin e Energjisë ka pyetur kryetari Shala.
Prestreshi tha se Ligji për energji ai për Konkurrencë e përcakton që të ketë një memorandum që nëse ka çrregullim të tregut në fushën e energjisë të eliminohet çdo parregullësi.
“Ne menjëherë kemi filluar një proces për një hetim ndaj KeDS e KESCO”, është shprehur ai.
Shala ka pyetur se deri ku ka shkuar ky proces, kurse Prestreshi tha se këto ndërmarrje ndodhen në një objekt dhe ekziston mundësia që këto të bashkëpunojnë dhe të lënë në pozitë të palakueshme konkurrentët e tjerë.