Oda e Infermierëve i reagon SHSKUK-së lidhur me rastin e logopedit: Deklarata të pamatura, kërkoni falje publike

Oda e Infermierëve i reagon SHSKUK-së lidhur me rastin e logopedit: Deklarata të pamatura, kërkoni falje publike

Oda e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë (OIMK), ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të menaxhmentit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK), lidhur me rastin e logopedit Iljasa Fazliu, i cili dyshohet se ka abuzuar psiqikisht me një vajzë 3-vjeçare.

Fazliu ka rezultuar se ka ushtruar profesionin pa pasur licencë e për këtë SHSKUK-ja ka hedhur përgjegjësinë tek Oda e Mjekëve dhe ajo e Infermierëve.

Por, nga kjo e fundit përmes një reagimi publik kanë thënë se s’mund të mbajnë përgjegjësi nëse profesionistët shëndetësorë operojnë apo fitojnë në konkurse pa pasur licencën përkatëse.

“OIK ka të dhëna dhe regjistra të saktë për të gjithë infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë të licencuar, mirëpo ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi nëse ata operojnë apo fitojnë në konkurse pa pasur licencat përkatëse. Është përgjegjësi e institucioneve që të mos mbajnë profesionistë shëndetësorë të pa licencuar në institucionet e tyre”, thuhet në reagimin e Odës së Infermierëve.

Tutje, kanë thënë se tentimi që kjo përgjegjësi t’i atribuohet odave të profesionistëve tjerë shëndetësorë është i pabazuar dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

“Andaj, i bëjmë thirrje menaxhmentit të SHSKUK-së që të tërheqë këto deklarata të pamatura dhe të kërkojë falje publike odave të profesionistëve shëndetësorë”, thuhet tutje.

Logopedi, Iljasa Fazliu nga Gjilani është arrestuar pasi dyshohet se ka abuzuar psiqikisht në ordinancën e tij një fëmijë 5 vjeçar të diagnostikuar me autizëm. Gazeta Insajderi ka siguruar video incizimet ku i njëjti dëgjohet duke e sharë e ofenduar fëmijën teksa dëgjon të qarat e tij.

Related Articles