Nazlie Bala nga Ministria e Drejtësisë, ka thënë se gruaja shtatzënë e cila u vra këtë të mërkurë, kishte kërkuar ndihmë edhe më parë në institucione përkatëse.
Bala në Radio Dukagjin, tha se institucionet e sigurisë duhet ta shtojnë përgjegjshmërinë, dhe viktimave të dhunës t’u jepet përkrahja e plotë.
Ajo theksoi, se lufta ndaj fenomenit të dhunës duhet të jetë e gjithë shoqërisë dhe të mos reduktohet vetëm në institucione.
Policia e Kosovës deklaroi se kanë pranuar informatën rreth orës 18:00 se në oborrin e QKUK-së gjendej një trup i pajetë.
Viktima besohet se ishte rreth moshës 35-vjeçare.
“Aktualisht, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia ende nuk ka bërë të ditur nëse ka arrestuar persona të dyshuar për këtë ngjarje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo ishte vrasje mizore, “e papranueshme dhe e padurueshme”.
Sipas tij, dorasi ishte bashkëshorti i viktimës.
“Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën”, shkroi Kurti në një postim në llogarinë e tij në Facebook.