Kurti e Lajçak biseduan për kthimin e serbëve në institucione, Raci: Ata që lëshuan institucionet tona kanë shkelur marrëveshjen e Brukselit

Kurti e Lajçak biseduan për kthimin e serbëve në institucione, Raci: Ata që lëshuan institucionet tona kanë shkelur marrëveshjen e Brukselit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti këtë të martë në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shkruan Gazeta Enigma.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se tani është koha e duhur për progres në dialogun Kosovë-Serbi.

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Lajçak tha se biseduan edhe për kthimin e serbëve në institucione.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Ndërsa Qeveria e Kosovës njoftoi se tema kryesore të këtij takimi ishin mbarëvajtja dhe dinamizmi i procesit të dialogut me Serbinë, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zhvillimet e fundit në Kosovë e çështje tjera aktuale.

“Kryeministri Kurti e falënderoi z. Lajçak për angazhimin e tij në dialog, ndërsa ritheksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, bëhet e ditur se kryeministri Kurti e njoftoi emisarin Lajçak që Qeveria është në përfundim të përgatitjeve për aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria është e vendosur për sundimin e ligjit dhe e përkushtuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Analisti politik Gazmir Raci

Analisti politik Gazmir Raci thotë se integrimi i serbëve në institucione ka qenë pjesë e programit të marrëveshjes ndërkombëtare nga viti 2013.

Por, sipas tij një gjë e tillë nuk u respektua nga pala serbe, ata që lëshuan institucionet tona kanë shkelur marrëveshjen e Brukselit.

Përveç marrëveshjes së Brukselit serbët që u larguan nga institucionet e Kosovës kanë shkelur edhe deklaratën për integrim, deklaratë e cila ishte nënshkruar në atë kohë nga secili në mënyrë individuale.

‘’Njëherë ata janë integruar dhe në atë kohë faza e integrimit ka qenë shumë e vështirë, por është bërë për shkak të marrëveshjes së vitit 2013 që është ratifikuar atëherë në program si marrëveshje ndërkombëtare’’, tha Raci për Gazetën Enigma.

Në bazë të atyre nënshkrimeve ata ishin pajtuar që të respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës, dhe se nuk do të merrnin paga nga ndonjë shtet tjetër.

’Dorëheqjet janë pranuar nga institucionet përgjegjëse, nuk e di si do të bëhet riintegrimi i tyre përsëri për shkak se edhe ata që i kanë lëshuar institucionet e kanë shkelur marrëveshjen e Brukselit, e po ashtu e kanë shkelur rëndë edhe deklaratën për integrim ku asokohe kanë nënshkruar secili në mënyrë individuale dhe kanë deklaruar në fund të nënshkrimit se pajtohen që të respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës dhe nuk do të marrin paga nga një shtet tjetër përpos Kosovës’’, ka deklaruar ai.

Tutje Raci ka theksuar se ”nëse kur janë pranuar dorëheqjet zyrtarisht është shumë e vështirë, nëse nuk I janë pranuar dorëheqjet atëherë nëse ka zbrazëtira ligjore ku mund të shtjellohen individualisht secili rast, por duhet me e evidentuar që Serbia në këtë rast ka bërë shkeljen më të rëndë ndonjëherë të marrëveshjes së Brukselit’’.

Çka do të ndodhë nëse nuk do të lejohet kthimi i serbëve të larguar në institucionet e Kosovës?

’Hapen vende të reja të punës, ka serbë tjerë nuk do të thotë që këta duhet me u integru, munden me u plotësu me serbë tjerë të cilët mund të hyjnë përmes sistemit të konkurseve nëse I plotësojnë kriteret dhe me u angazhua secili në sektorin e vetë’’, tha Raci për Enigmën.

Eksperti i sigurisë Drizan Shala

Në lidhje me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar edhe me ekspertin e sigurisë, Drizan Shala, i cili ka thënë se Kosova duhet të ndërmarr veprime specifike aty ku nuk cenohet siguria nacionale dhe të zbatohet vendimi politik.

Shala tutje ka theksuar se aty ku nuk ka potencial veprimi në dëm të saj të zbatohen ligjet e aplikueshme.

‘’Kosova ka obligime të dalura nga marrëveshja ndërkombëtare në Bruksel ku ishte e përcaktuar shuarja e strukturave paralele dhe inkuperimi i tyre në kuadër institucioneve tona’’, ka deklaruar Shala për Enigmën.

Tutje Shala ka potencuar ‘’se kjo gjë edhe Kryeministri i Kosovës ka pranuar që këto veprime janë politike dhe assesi nuk mund të fshihen mbrapa veprime ligjore siç po pretendon kryeministri’’.

‘’Kosova pra duhet të ndërmarr veprime specifike aty ku nuk cenohet siguria nacionale të zbatohet vendimi politik ndërsa aty ku ka potencial veprimi në dem të saj të zbatohen ligjet e aplikueshme’’, ka përfunduar Shala.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles