Bogujevci: Ai që masakroi familjen time u arrestua derisa bridhte rrugëve të Evropës

Bogujevci: Ai që masakroi familjen time u arrestua derisa bridhte rrugëve të Evropës

8 marsi i 1999, shënon njërin nga aktet më të tmerrshme kriminale të Serbisë në Kosovë. 16 gra e fëmijë, të familjeve Bogujevci e Duriqi në qytetin e Podujevës, u ekzekutuan pamëshirshëm nga forcat serbe.

Saranda Bogujevci në këtë masakër që ndodhi në oborrin e shtëpisë, humbi nënën, gjyshen dhe dy vëllezërit më të vegjël, e po ashtu edhe gruan dhe vajzën e axhës.

Ajo si e mbijetuar e kësaj masakre ka treguar se ai që kreu masakrën e familjes së saj, Sasa Cvjetan, është arrestuar në Athinë të Greqisë, si një nga drejtuesit e një karteli të drogës.

Cvjetan në lidhje me këtë rast ishte arrestuar dhe liruar më pas në vitin 2018.

“Kur Sasha Cvjetan u dënua për masakrën e familjes sime, ne u pyetëm nëse drejtësia ishte vënë në vend. Përderisa nuk ka kurrë drejtësi kur të masakrohet familja juaj, ne kishim shpresuar që të paktën të nxirren mësime. Fatkeqësisht, siç e kemi parë është larg realitetit”, ka shkruar Bogujevci në Twitter.

“Më njoftuan mbrëmë se shtatë ditë më parë, Cvjetan u arrestua në Athinë të Greqisë si një nga drejtuesit e një karteli droge. Policia jo vetëm sekuestroi drogë, por edhe eksplozivë dhe armë të tjera”.

“Cvjetan ishte një anëtar i njësisë Scorpion që masakroi mijëra burra dhe djem në Srebrenicë në fillim të viteve ’90. I njëjti njësi (i cili nuk është një grup paramilitar, por një njësi e rezervuar policore në kuadër të Punëve të Brendshme të Serbisë) ka masakruar edhe familjen time”.

“Ata vranë gra, fëmijë dhe pleq. Nga 21 anëtarët e familjes sime, vetëm unë dhe katër kushërinjtë mbijetuam”.

“Cvjetan u dënua me 20 vjet burg, por në vitin 2018 ai u lirua tre vjet e gjysmë para se të përfundonte dënimi për “sjellje të mirë”. Tani, ai është arrestuar për më shumë aktivitet kriminal. Një vrasës i fëmijëve është lejuar të bredh rrugëve të Evropës”.

Related Articles