Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka komentuar deklaratën e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Bruksel. Ai ka folur për eliminimin e kriminelëve të luftës, pa përmendur se për cilët e ka fjalën.
Kurti nuk i përmend krimet e luftës së Serbisë, por foli në përgjithësi. Lidhur me këtë, Selimi thotë se relativizmi i krimeve të luftës dhe barazimi i çlirimtarëve me kriminelët e aparaturës së Millosheviqit është revizionizëm dashakeq i historisë çlirimtare.
“Gjuetia e shtrigave, poltronizimi ndaj Serbisë dhe falsifikimi i historisë duke barazuar UÇK-në me Vuçiqin tregon se ky Kryeministër dhe aparatçikët e tij janë të përbetuar të vendosin regjim shtypës. Distancimi nga ShBA dhe afrimi me eksponentë pro-rus i jep kahje të gabueshme politikës tonë të jashtme dhe do t’i kthehemi izolimit paranoik me elemente të manipulueshme nga armiqët”, ka shkruar Selimi në Facebook.
Ndërsa, dje, kryeministri Kurti gjatë deklarimit të tij para medieve në Bruksel ka përmendur edhe tri shtyllat kryesore mbi të cilat vendet e Ballkanit e Përëndimor, përfshirë edhe Kosovën, që mund të ecin përpara drejt integrimit në BE. Një nga këto shtylla, siç thotë Kurti, është eliminimi nga skena politike e kriminelëve të luftës, megjithatë ai nuk e ka specifikuar se për kë saktësisht e ka fjalën.
“Në anën tjetër, të gjitha vendet e Ballkanin Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejtë, nëse i përmbahen tri, le të themi, vlerave shumë të rëndësishme. E para është demokratizimi, e dyta është sundimi i ligjit, dhe e treta është ballafaqimi me të kaluarën, pra eliminohen nga skena politike e institucionale, kriminelët e luftës. Edhe më tej në Ballkan Perëndimor kemi edhe kriminel të luftës dhe kriminel të paqe të cilët dominojnë në institucione dhe parti politike, dhe kjo do të marrë fund, dhe në këtë mënyrë do të krijohen kushtet edhe për më shumë shpresë, dhe më shumë besim në të ardhmen. Demokratizimi kundër autokracisë, sundimi i ligjit kundër monopolit dhe oligarkëve dhe ballafaqimi me të kaluarën, meqenëse kemi përjetuar 4 luftëra në Ballkan, përgjegjësit për të cilët, dhe shumë prej fajtorëve, qoftë urdhërdhënës qoftë si ekzekutor vazhdojnë të jenë të pajisur me pushtet politik”, ka sqaruar Kurti.
Megjithkëtë, Selimi thotë se Kurti në planin e tij për ballafaqim me të kaluarën relativizon krimet e luftës duke barazuar agresorin me viktimën.
“Unë e di që Kryeministri Kurti është i njoftuar me vendimet e Nurembergut, ICTY dhe ICC dhe e dinë që në çdo luftë ka agresorë aparatura politiko-ushtarake e Serbisë dhe viktimë, në rastin tonë popullata civile shqiptare”, shkroi Selimi në Facebook.
Kosova aktualisht ka në Gjykatë Speciale krerët e Ushtrisë Çliritimtare të Kosovës të cilët po përballen me akuzat dhe pretendimet për krime lufte. Atje janë ish-presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Salih Mustafa, raporton express.