Barrikadat e vendosura në veri të vendit tash e njëmbëdhjetë ditë vazhdojnë të qëndrojnë duke vështirësuar jetën e qytetarëve në atë pjesë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara.
Barrikadat veçse janë shtuar në veri të vendit, pasi serbët lokal kanë ngritur edhe një tjetër barrikadë në “Kroin e Vitakut”, saktësisht nga Mitrovica në drejtim të Zveçanit.
Pas vendosjes së barrikadave në këto pika është shtuar prezenca e pjesëtarëve të KFOR-it në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë.
Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi në një bisedë për Gazetën Enigma ka treguar se si duhet të veprohet për largimin e barrikadave.
Kajtazi thotë se situata është kaotike nga rrebelimi i serbve që është një ‘rrebelim’ i detyruar nga qeveria e Serbisë.
“Së pari situata është kaotike, është një rrebelim i popullsisë serbe i detyruar nga qeveria e Serbsië. Kjo popullsi po e paguan targën e ruajtjes së pushtetit në Serbi si dhe të interesit të grupeve mafioze të cilat e kontrollojnë zonën”, thotë Fadil Kajtazi për Gazetën Enigma.
Përveç qeverisë së Serbisë që po kontribuon në këtë konflikt, sipas Kajtazit një tjetër faktor është ai rus i cili po mundohet ta kërcënoj perëndimin.
“Viteve të fundit kemi edhe një komponentë në këtë konflikt, atë rus i cili përmes politikës së krijimit të kaosit po mundohet të kërcnoi perëndimin”, vlerëson Kajtazi.
Kajtazi thotë se barrikadat duhet të hiqen pas bisedimeve në Bruksel ose Uashington është e vështirë të largohen.
“Zgjidhja e vetme është kooperimi me vendet e BE-së dhe SHBA-së. Barrikadat po nuk u hoqën në Uashington dhe Bruksel ato është e vështirë të hiqen në veri. Fatkeqësisht këtë diskurs Qeveria e Kosovës e ka neglizhuar dhe do të merr kohë për ta përmirsuar”, thotë ai.
“’Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk mund t’i përjashtojë mundësitë e viktimave. Prandaj ne duam të jemi sa më të kujdesshëm që të mundemi për t’u siguruar se nuk do të ketë destabilizim, dhe të vendosen paqja relative dhe siguria. Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë përgjithmonë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë”, citon Kurtin “The Guardian”.
Ndryshe Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme doli me një njoftim për situatën në këtë pjesë.
Siç njoftoi PK, që nga vendosja e nëntë barrikadave nga persona/grupe kriminale, situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, ku si pasojë e këtyre barrikadave dy pikat kufitare “Jarinje” dhe “Bërnjak” ende mbesin të mbyllura për qarkullim./GAZETA ENIGMA/