Një rast i dhunës në familje ka ndodhur dje në Gjakovë, ku burri dyshohet se ka dhunuar fizikisht bashkëshorten e tij.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili njoftoi se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Me datën 22.12.2022 është arrestuar personi mashkull i lindur në vitin 1987 mbi dyshimin se kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Rasti ka ndodhur në rrugën “Mark Malota” në Gjakovë Me vendim të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndalur në mbajtje”, tha Elezaj.
Sinjali mëson se i dyshuar për këtë rast është aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gerolld Nikoliqi.
Nikoliqi i cili si fotograf tash është pjesë e kabinetit të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, dyshohet se ka keqtrajtuar psiqikisht dhe fizikisht në mënyrë sistematike bashkëshorten e tij.
Burimet e gazetës kanë bërë me dije se 35-vjeçari dyshohet që ishte nën ndikim të alkoolit dhe për këtë arsye i është nënshtruar edhe alkotestit në stacion policor, ku ka rezultuar me një nivel alkooli në gjak.
Si pasojë e dhunës së përjetuar, viktima ka marrë lëndime trupore dhe për këtë ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Burimet e gazetës brenda Emergjencës njoftojnë se viktima ka shkuar atje me lëndime të dukshme në trup dhe të njëjtës i është ofruar shërbim mjekësor.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje‘.
Kujtojmë se Nikoliqi edhe më parë kishte pasur telashe me ligjin, si shkak i aktiviteteve të tij me LVV-në.