Me rastin e publikimit të emrave të kriminelëve serbë të cilët me urdhrin e Vuçiqit, po veprojnë në veri të Kosovës së pari në frikësimin dhe mbajtjen nën kontroll të vetë serbëve që jetojnë atje, por edhe në krijimin e situatës së konfliktit me metodat e tyre të njohura qysh nga koha e Sllobodan Millosheviqit, lajmërohen edhe përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët janë edhe organizatorë të gjithë këtyre trazirave atje.
“Urrejtja e Albin Kurtit për gjithçka që është serbe shkon deri aty sa publikon një listë të re për persekutimin e serbëve, ku përfshihen edhe vëllai dhe djali i presidentit tonë Aleksandar Vuçiq, të cilët “nuk kanë asnjë lidhje” me protestat “demokratike dhe paqësore” të popullit serb në barrikada”, ka kumtuar Lista Serbe, transmeton Paparaci.
“Kështu deputeti e Vetëvendosjes së Albin Kurtit, Armend Muja ka publikuar një listë tjetër për persekutimin e serbëve nga Kosova, të cilën Kurti dhe ministri i tij Sveçla përpiqen me këmbëngulje ta fshehin”, pretendohet në deklaratën e shpërndarë për media.
Në këtë listë, siç pretendohet, përfshihet “pothuajse e gjithë kryesia e Listës Serbe, serbët e shquar nga Kosova, por edhe vëllai dhe djali i presidentit Aleksandar Vuçiq, Andrej dhe Danilo”.
“Përpilimi dhe publikimi i listës për persekutimin e serbëve nga Prishtina paraqet një linçim publik dhe shënjestrim të Danilo dhe Andrej Vuçiqit, kryesisë së partisë më të fortë të serbëve në Kosovë dhe serbëve më të respektuar nga Kosova, me çka rrezikohen drejtpërdrejt jetën e tyre”, shtohet në kumtesë.
“I bëjmë thirrje opinionit ndërkombëtar që urgjentisht dhe publikisht ta dënojë këtë persekutim të serbëve. Deklarata të tilla justifikojnë drejtpërdrejt ekzistencën e barrikadave dhe rezistencën paqësore të popullit serb, i cili nuk pajtohet me lakun në qafë të vendosur nga Kurti”, përfundon kumtesa.