Vedat Muriqi mund të largohet nga Mallorca në afatin kalimtar të janarit.
Sulmuesi kosovar e kaloi një vit të jashtëzakonshëm në klubin ishullor duke bërë që klubet e njohura evropiane të interesohen për shërbimet e tij.
Në ditët e fundit u spekulua për interesimin e dy skuadrave madrilene, Real dhe Atletico për shërbimet e 28 vjeçarit.
Ndërsa tash, thuhet se përfaqësuesin kosovar e duan edhe në ligën më të fortë të futbollit në botë – në Premierligë.
Sipas mediave spanjolle, dy klubet e fundit që kanë shprehur interesim për ish-futbollistin e Rizesporit, Fenerbahçes e Lazios janë Aston Villa dhe Evertoni.
Mediumi “elgoldigital”, përcjell “Gazeta Express”, shkruan tutje se trajneri Unai Emery dëshiron ta transferojë sulmuesin shtatlartë në qytetin e Birminghamit pasi është në kërkim të një sulmuesi me tipare të Muriqit.
Të dyja klubet e Premierligës thuhet se janë të gatshme të bëjnë oferta të kënaqshme ekonomike për ta bindur Mallorcan që ta shesë lojtarin, i cili gjatë verës kishte nënshkruar kontratë afatgjate.
Edhe pse prizrenasi ka thënë se ndihet mjaft mirë në Mallorca, një ofertë e mirë financiare për të dhe një mundësi për të luajtur në një klub më të madh, do të mundtë t’ia ndërronin mendimin atij.
Trajneri Javier Aguirre ka thënë se nuk e di të ardhmen e Muriqit, e as të asnjërit prej klubeve, duke insistuar se deri tash nuk ka arritur ndonjë ofertë zyrtare për “Piratin”.
Shitjes eventuale të Muriqit po i lutet Lazio, e cila do t’i përfitonte 45 për qind të shumës totale, në bazë të marrëveshjes që e ka me Mallorcan.
Vedat Muriqi u zgjodh së fundmi lojtari më i mirë në Kosovë për vitin 2022.